Ballina Kosovë Konstituimi i Kuvendit, Kurti takon krerët e partive politike

Konstituimi i Kuvendit, Kurti takon krerët e partive politike

12
0

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) pret të shtunën në takim krerë të subjekteve tjera politike, në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në takim po marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe ai i Nismës Social-Demokrate, Fatmir Limaj, anëtarë tjerë të këtyre partive politike, si dhe të disa partive nga pakicat.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e më së shumti votave në zgjedhje – për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Takimi i së shtunës zhvillohet pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re./REL