Ballina Politika Blushi thirrje Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE: Rama po shkel autonominë...

Blushi thirrje Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE: Rama po shkel autonominë e pushtetit vendor

19
0

Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi në një konferencë për shtyp i bëri thirrje Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE se Rama po shkel autonominë e pushtetit vendor.

Fjala e Blushit:

Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe ndërhyrjet e përsëritura dhe të paprecedenta të Kryeministrit Edi Rama në punët e brendshme të bashkive, veçanërisht rastet flagrante të ndodhura në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës.

Këto akte përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, të cilat janë themele të një shteti funksional dhe demokratik.

Për më tepër, ato janë një atentat i drejtpërdrejtë ndaj reformës territoriale dhe decentralizimit, të cilat u ndërtuan mbi parimin që vendimmarrja lokale duhet t’u përkasë institucioneve vendore të zgjedhura me votë të lirë nga qytetarët.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 108, pika 4, përcakton qartë:

“Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese.”

Ndërsa Karta Evropiane për Autonominë Vendore, në nenin 3, thekson:

“Me autonomi lokale kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar dhe për të drejtuar, brenda ligjit dhe nën përgjegjësinë e tyre, një pjesë të konsiderueshme të çështjeve publike, në interes të popullsisë përkatëse.”

Për rrjedhojë, çdo përpjekje e Kryeministrit për të diktuar vendimmarrje administrative në bashki, për të emëruar apo shkarkuar drejtorë, apo për të urdhëruar ndryshime në drejtimin lokal, përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Këto veprime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe janë dëshmi e qartë e përpjekjes së Kryeministrit për të vendosur kontroll absolut mbi të gjitha pushtetet, duke e trajtuar shtetin si një strukturë nën varësinë e tij personale dhe politike.

Partia e Lirisë paralajmëron se, nëse këto ndërhyrje nuk ndalohen menjëherë, pushteti vendor rrezikon të degradojë në një zgjatim të thjeshtë të Qeverisë qendrore, duke humbur rolin e tij përfaqësues dhe funksionin si garant i interesit publik të qytetarëve.

Partia e Lirisë kërkon:
1. Të ndalet menjëherë çdo formë ndërhyrjeje politike në punët e brendshme të bashkive;
2. Të respektohet me rigorozitet autonomia kushtetuese dhe ligjore e pushtetit vendor;
3. Të ndërhyjnë institucionet përkatëse, brenda dhe jashtë vendit, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e autonomisë vendore;
4. Të merren masa ligjore dhe institucionale ndaj çdo akti që cenon ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e organeve vendore të zgjedhura nga qytetarët;
5. Të gjitha shoqatat që përfaqësojnë bashkitë, pa dallim bindjesh politike, të mbajnë qëndrime të qarta për mbrojtjen e autonomisë vendore dhe të ftohet zyrtarisht për të monitoruar situatën Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës në Strasburg, si dhe institucionet përgjegjëse të Komisionit Evropian.

Partia e Lirisë u bën thirrje shoqërisë civile, Këshillit të Europës dhe institucioneve të Bashkimit Europian që monitorojnë ecurinë e reformave demokratike, të reagojnë me vendosmëri ndaj këtij precedentit të rrezikshëm që minon demokracinë lokale dhe rendin kushtetues të vendit.

Shqipëria nuk mund të drejtohet me dorë të hekurt nga një njeri që kërkon të kthejë pushtetin në pronë personale. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ndarje pushtetesh dhe pushteti vendor nuk është dekor ceremonial, por themel i një shteti demokratik, funksional dhe pranë qytetarit.