Roma po vazhdon negociatat për të transferuar mesfushorin kolumbian Richard Rios nga Palmeiras, raportoi Fabrizio Romano të dielën.
25-vjeçari është i gatshëm të heqë dorë nga 10% e të drejtave të transferimit, që i takojnë atij sipas kontratës me klubin brazilian, një shumë që llogaritet rreth 3 milionë euro.
Oferta më e fundit e Romës është 25 milionë euro plus 5 milionë në formë bonusesh, por Palmeiras kërkon 30 milionë euro të garantuara.
Rios ka zhvilluar një sezon mbresëlënës me Palmeiras, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 4 asistime në 35 ndeshje gjatë sezonit 2024/25.
Ai është objektivi kryesor i trajnerit Gian Piero Gasperini, i cili kërkon të forcojë mesfushën e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
Për mesfushorin kolumbian kanë treguar interes edhe Interi, Porto dhe Manchester United, por Roma mbetet favoriti kryesor dhe klubi i preferuar i lojtarit.
Nëse palët arrijnë marrëveshje, Richard Rios pritet të bëhet përforcimi i parë i rëndësishëm i verdhekuqve në këtë afat kalimtar veror.