Ballina Politika Kryesia e PD-së në tronditje pas 11 majit/ Kush largohet dhe kush...

Kryesia e PD-së në tronditje pas 11 majit/ Kush largohet dhe kush pritet të ngjitet

28
0

Shumë deputetë që nuk arritën të siguronin një vend në Kuvend ose që nuk u përfshinë në lista si zgjedhje të kryetarit, do të largohen nga organet drejtuese të Partisë Demokratike.

Ndryshimi i grupit parlamentar do të imponojë rifreskimin e përbërjes së kryesisë së Partisë Demokratike dhe komisioneve parlamentare në nisje të sesionit të vjeshtës, duke përshtatur strukturat me realitetin e ri politik që prodhuan zgjedhjet.

Sali Berisha i dha pushime pa afat mbi gjysmës së deputetëve të grupit parlamentar, të cilët në vjeshtë nuk do të kenë mundësi të ulen në bankën e Kuvendit e, për pasojë, do të zhvishen edhe nga pozicionet që mbanin në parti. Konfigurimi i ri i grupit kuvendor do të prodhojë një përbërje të re të një tjetër organi vendimmarrës: Kryesisë së Partisë Demokratike, ku shumë figura do të largohen për shkak se nuk do të gëzojnë më pozicionet drejtuese në komisionet parlamentare.

Divorci politik me Sali Berishën erdhi me kosto për Ferdinand Xhaferrin, i cili u la jashtë listave nga kryetari. Ish-deputeti ishte pjesë e Kryesisë për shkak të funksionit si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, por me realitetin e ri ai nuk do të jetë më pjesë e këtij organi.

Të njëjtin fat do të ketë edhe Dhurata Çupi, e cila nuk pati një biletë të sigurt për në Kuvend, pasi u hodh në listën e hapur nga kryetari. Në karrigen e saj si nënkryetare e Komisionit të Ligjeve pritet të ulet një emër i ri.

Zheni Gjergji e kishte siguruar një vend në Kryesi për shkak të pozicionit si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, por edhe atë e kapi “fshesa” e kryetarit para zgjedhjeve.

Edmond Spaho, të cilin Sali Berisha e hodhi në listën e hapur, njoftoi largimin nga politika pasi zgjedhjet u mbyllën, i zhgënjyer, duke vënë në pikëpyetje drejtimin në sekretariatin e Integrimit që e bëri pjesë të Kryesisë.

I paqartë është edhe pozicioni i Helidon Bushatit si anëtar ex-officio, pasi braktisi trenin elektoral të Partisë Demokratike para zgjedhjeve.

Në Partinë Demokratike askush nuk flet për dorëheqje si rezultat i reflektimit për disfatën elektorale, por rifreskimi i organeve drejtuese dhe riorganizimi i brendshëm është i pashmangshëm si pasojë e realitetit politik që prodhuan zgjedhjet.

Shumë zëra pas humbjes në thellë kërkuan ndryshime të kupolës drejtuese, por Sali Berisha është investuar për momentin në faktimin e asaj që cilëson farsë, me shpresën se me kalimin e vapës dhe rinisjen e vjeshtës, mendjet e demokratëve do jenë freskuar.