Ballina Europë Moska planifikon sulm me 2 mijë dronë kundër Ukrainës

Moska planifikon sulm me 2 mijë dronë kundër Ukrainës

38
0

Shefi i qendrës situacionale për Ukrainën pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, gjeneralmajori i Bundeswehr-it, Christian Freuding, ka deklaruar të shtunën e datës 19 korrik, se Moska synon të lëshojë njëkohësisht deri në 2 mijë dronë drejt Ukrainës.

Kjo, sipas tij, “do të përbëjë një sfidë serioze për sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës”. Këtë deklararë, Freuding e bëri gjatë një interviste të publikuar më 19 korrik, sipas The Kyiv Independent.

Shifra tronditëse e përmendur nga Freuding, vjen ndërsa Rusia po vazhdon zgjerimin e prodhimit të saj të dronëve.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës (SZRU) i tha Politico-s në qershor se Kremlini planifikon të prodhojë 2 milionë dronë të tipit FPV dhe 30 mijë dronë me rreze të gjatë veprimi dhe dronë mashtrues gjatë vitit 2025, një zgjerim i rëndësishëm i programit të luftës me dronë të Moskës.

Freuding theksoi nevojën për “masa kundërpërgjigjeje inteligjente”, duke vënë në dukje se përdorimi i raketave Patriot kundër dronëve kamikazë rusë është i paarsyeshëm, pasi kostoja e një droni të tillë është 30-50 mijë euro, ndërsa një raketë Patriot kushton mbi 5 milionë euro.

Ndërkohë që Rusia po sulmon qytetet ukrainase, ushtria e Ukrainës duket se ka intensifikuar përpjekjet e saj për të goditur kryeqytetin rus. Për katër net radhazi, ushtria ukrainase ka shënjestruar Moskën, dhe më 20 korrik janë raportuar zjarre në rajonin e Moskës për shkak të sulmeve. Për të kundërshtuar rritjen e prodhimit të dronëve nga Rusia, Ukraina gjithashtu ka shtuar ndjeshëm prodhimin e dronëve të saj, duke i përdorur gjerësisht në sulmet kundër rajoneve të ndryshme ruse dhe në vijën e frontit.

Freuding njoftoi më herët këtë muaj se Ukraina do të fillojë të marrë qindra sisteme armësh me rreze të gjatë të prodhuara brenda vendit deri në fund të korrikut, në kuadër të një marrëveshjeje të financuar nga Gjermania. Ky njoftim u bë përpara marrëveshjes së presidentit amerikan Donald Trump me NATO-n për të furnizuar Ukrainën me armë shtesë.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, deklaroi në një konferencë për shtyp më 26 qershor se Ukraina aktualisht ka kapacitetin për të prodhuar 4 milionë dronë në vit. Presidenti Volodymyr Zelensky shtoi se kapaciteti potencial është deri në 8 milionë dronë në vit, por Ukraina mungon mbështetjen financiare ndërkombëtare për ta realizuar këtë potencial.