Ballina Rajoni ​“Vuçiq është në kampin e Putinit”, Blazeviq: Rusia po e destabilizon Ballkanin

​“Vuçiq është në kampin e Putinit”, Blazeviq: Rusia po e destabilizon Ballkanin

18
0

Rusia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj negativ në Ballkan dhe synon destabilizimin e rajonit, paralajmëron aktivisti evropian me origjinë boshnjake, Igor Blazeviq. Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se për herë të parë në historinë e afërt, prania ruse në Ballkan është serioze dhe paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale.

Sipas tij, ndikimi i Kremlinit nuk ka qenë tradicionalisht kaq i pranishëm në këtë pjesë të Evropës, por vitet e fundit kanë sjellë një ndryshim të dukshëm. Blazeviq e cilëson agresionin rus ndaj Ukrainës si një akt gjenocidal dhe pjesë të një strategjie afatgjatë për të shkatërruar rendin evropian. Ai paralajmëron gjithashtu për aleanca të reja autoritare dhe për rreziqe që kërcënojnë paqen dhe demokracinë në të gjithë kontinentin.

Blazeviq: Rusia dhe ndikimi negativ i saj janë kthyer në Ballkan

“Rusia ka tashmë ndikim të konsiderueshëm. Rusia historikisht nuk ka pasur ndikim në Ballkanin Perëndimor. Që nga koha e Titos, ky rajon në njëfarë mënyre e ka mbrojtur dhe çliruar veten nga ndikimi rus. Tani, në vitet e fundit, Rusia dhe ndikimi negativ rus janë rikthyer. Madje do të thosha se për herë të parë në historinë e afërt, ky ndikim është seriozisht i pranishëm në këtë rajon. Interesi i Rusisë këtu nuk është stabilizimi i gjërave, por destabilizimi i tyre. Dhe në çdo moment të vetëm, Rusia është në gjendje të krijojë destabilizim që po e ushqen aktualisht drejt një konflikti edhe më serioz. Pra, Ballkani Perëndimor është një nga vendet e cenueshme dhe të brishta për momentin”, thotë ai.

Sipas aktivistit Igor Blazeviq, rajoni është veçanërisht i brishtë në këtë fazë të ndarjes së re globale.

Blazeviq: Ballkani, shumë i ndjeshëm ndaj luftës

“Këto [rreziku nga lloj gjërash] nuk janë të parashikueshme. Por do të thosha se është e mundshme, madje shumë e mundshme, që të ketë një destabilizim edhe më serioz në këtë pjesë të botës. Sepse aktualisht jemi vërtetë në një situatë jo të një rendi të ri multipolar, por në një kaos multipolar. Po përballemi me rivalitete dhe gara serioze globale për një ndarje të re të botës. Dhe kur ndodh një ndarje e re e botës, rajonet e trazuara në mes – dhe ne jemi një nga ato rajone – janë zakonisht shumë të ndjeshme ndaj destabilizimit serioz dhe, ndoshta, luftës”, thotë ai.

Blazeviq përmend gjithashtu mbështetjen e Kinës si një faktor që e fuqizon Kremlinin, dhe paralajmëron për rreziqe të mëdha që kërcënojnë paqen dhe demokracinë në Evropë.

Aleancat autoritare [Rusia, Kina, Irani], kleptokracia [e përbërë nga entitete që kontrollohen nga oligarkë dhe plutokratë, me ndikim të madh ekonomik e politik] dhe ekstremi i djathtë konservator e jo-liberal [i paketuar shpesh në forma fetare, që e largon shoqërinë nga liria] janë tri forcat që sipas Blazeviq, po e kërcënojnë botën.

Blazeviq: Evropa dhe paqja janë nën një kërcënim shumë serioz

“Tashmë jemi globalisht në një situatë shumë më serioze, jo vetëm përballë kërcënimit që paraqet Rusia e Putinit. Tani kemi tri forca të ndryshme ose tri aleanca të ndryshme që kanë interesa të sinkronizuara. Njëra aleancë është ajo që mund ta quajmë aleanca autoritare: Rusia, Kina, Irani. Aleanca e dytë është ajo që mund ta quajmë aleanca kleptokratike, e cila është shumë më e gjerë se ajo autoritare. Gjëja e tretë është se kemi një valë serioze të një lëvizjeje konservatore, jo-liberale, të djathtë, që do ta quaja vërtet një lëvizje shoqërore që po ndodh në shumë vende të botës, zakonisht e paketuar në një fe apo një tjetër, që gjithashtu po e largon shoqërinë nga liria. Këto tri forca po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Po ndihmojnë njëra-tjetrën. Kjo do të thotë se demokracia, liria, Evropa, paqja janë nën një kërcënim shumë, shumë serioz – jo vetëm kërcënim, por nën një sulm shumë serioz. Sulmi po ndodh dhe do të kalojmë shumë kohë duke u mbrojtur. Dhe nuk është aspak e sigurt që do të arrijmë të mbrohemi me sukses”, thotë ai.

Blazeviq ndalet gjerësisht në luftën në Ukrainë, të cilën e përshkruan si një agresion gjenocidal dhe neo-kolonial ndaj një kombi fqinj.

Blazeviq: Rusia po bën gjenocid, synon shkatërrimin e identitetit ukrainas

“Rusia po zhvillon një agresion gjenocidal neo-kolonial kundër një vendi fqinj, me të gjitha pasojat tronditëse dhe shkatërruese që përmban vetë fjala ‘gjenocid’. Rusia vërtet dëshiron që identiteti ukrainas të shkatërrohet dhe të zhduket. Nga ana tjetër, kjo është vetëm një pjesë e një strategjie shumë më të madhe që Rusia – por jo vetëm Rusia – po zhvillon kundër Evropës. Kjo nuk është vetëm një luftë kundër Ukrainës, kjo është një luftë kundër Evropës, një luftë kundër rendit botëror që kemi pasur që nga Lufta e Dytë Botërore. Është një çështje shumë serioze, dhe nuk do të përfundojë shpejt. As agresioni rus ndaj Ukrainës nuk do të përfundojë shpejt, dhe as përpjekja e Rusisë për të shkatërruar rendin pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë Blazeviq.

Ai flet edhe për rolin e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuciq.

Blazeviq: Vuçiq luan në kampin e Putinit

“Po, e dini, Vuçiq është dikush që luan në kampin e Putinit, ta themi kështu. Ai ka qenë mjaft i zgjuar për të bërë atë që Lukashenko bënte për një kohë shumë të gjatë: duke luajtur në të gjitha anët – me Evropën, me Rusinë. Por në thelb, Vuçiq është në kampin rus, kampin e Putinit. Dhe tani, kur ai ndihet i kërcënuar brenda vendit, ai do të mbështetet edhe më shumë te Rusia dhe Kina dhe do të braktisë atë lojë të rreme që ka luajtur më parë me Evropën”, thotë ai.

Blazeviqapelon për vetëdije më të thellë dhe për masa më të vendosura për të mbrojtur rendin botëror dhe stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër, siç thotë ai, rindërtimi i shoqërisë civile dhe qëndrueshmëria e brendshme janë më të rëndësishme se kurrë.