Ballina Lifestyle Instagram vendos kufirin për videot ‘Live’ vetëm për llogaritë me 1 mijë...

Instagram vendos kufirin për videot ‘Live’ vetëm për llogaritë me 1 mijë ose më shumë ndjekës

48
0

Përdoruesit e Instagram duhet të kenë një llogari publike dhe minimalisht 1000 ndjekës që të kenë mundësinë e videove ‘live’, konfirmon platforma për TechCrunch. Deri më tani, çdokujt i lejohej që të përdorte opsionin ‘live’, pavarësisht numrit të ndjekësve apo statusit të llogarisë.

Ndryshimi është i dëmshëm për “creator”-ët që kanë më pak se 1000 ndjekës, por edhe përdoruesit e zakonshëm që realizonin video ‘live’ pa ndonjë arsye të veçantë.

Përdoruesit që nuk plotësojnë kriteret dhe përpiqen të realizojnë video ‘live’, do të shohin një lajmërim që u thotë se llogaria e tyre nuk mund të bëjë më video  ‘Live’. “Ne ndryshuam kriteret e këtij opsioni. Vetëm llogaritë publike me 1000 ndjekës ose më shumë mund të krijojnë video ‘live’”, vijon mesazhi.

Përdoruesit po shprehin pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale dhe kërkojnë që ndryshimi të zhbëhet.

Edhe në TikTok, përdoruesit duhet të kenë të paktën 1000 ndjekës për të bërë video ‘live’. Në Youtube,  kanalet duhet të kenë minimalisht 50 abonentë.

Edhe pse kompania nuk dha një arsye specifike, tha se ndryshimi synon të përmirësojë përvojën e përgjithshme të konsumit.

Kjo mund të jetë edhe një formë e Meta për të kursyer para. Duke qenë se transmetimi i këtyre videove kushton, kompania mund të ketë vendosur për të mos mbështetur videot që kanë vetëm një grusht shikuesish.