Ballina Opinion Pluhuri i hapësirës publike

Pluhuri i hapësirës publike

34
0

Nga Ilir Yzeiri

Jam ulur në një nga lokalet e Stadiumit «Air Albania» dhe përballë kam sarajet e reja që i kanë zënë frymën «Sheratonit» të dikurshëm. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse duhet të ndërtoheshin gjithë ato godina monstra në Parkun Kombëtar duke e mbyllur perspektivën dhe duke e shkatërruar një nga pamjet më të bukura të peizazhit aty. Por kjo nuk befason m,ë asnjë. Unë nuk kam qenë asnjëherë kundër për kullat që ndërtohen në qendër nga pikëpamja arkitektonike, sepse, edhe hapësira ka nevojë të popullohet në një vend që ka një energji dhe dinamizëm të lartë zhvillimi, por nuk mund ta honeps kurrë që Parkut të Madh të Tiranës t’i vihen mure të larta pallatesh dhe ta errësojnë atë që është magjia e semantikës së arkitekturës- perspektiva.

Kjo ndjesi, ndoshta, edhe mund të më kishte kaluar, sepse, në këtë vend, nuk di cilën të mbash më parë dhe cilën të presësh ditën tjetër, por kur sheh rreth e rrotull që vetëm prishet dhe që zhurma e matrapikut të shoqëron ngado, atëherë një zhgënjim dhe trishtim i hidhur të ngjitet në grykë dhe menjëhëre të vjen ndërmend një karakterizim që i pat bërë dikur Shqipërisë rrumpallë- Edi Rama. Ai e pat përdorur për herë të parë emrin e një qyteti afgan – Kandahar, për të shenjuar rrëmujën, kaosin. Ndërsa unë do të shtoja edhe një armik tjetër të shëndetiti tonë dhe një bashkudhëtar të këtyre viteve të rrëmujës- PLUHURIN.

Si ka mundësi që nuk po na hiqet në asnjë çast pluhuri ? Të gjitha matjet e pastërtisë së ajrit nxjerrin grimcat e vogla të pluhurit si ndotësin më të madh. Kjo vjen për shkak të ndërtimeve pa fund që kanë përfshirë Tiranën dhe nga mungesa totale e rregullave të respektimit të ambientit gjatë ndërtimit. Rrafshohen kodra, hapen themele, rrugë me dhé e me pluhur, kamiona të tonazhit të rëndë që kalojnë në çdo orë të ditës dhe, si të mos mjaftonte kjo, këtë verë u shtuan edhe prishjet e ndërtimeve që kishin zaptuar hapësirën publike. Nuk hyn dot nëpër lagje e sheshe të liruara se ish-hapësirat e zaptuara janë bërë si varreza të kthyera përmbys dhe gjithandej pluhur.

Ne mburremi se po ndërtojmë dhe se po zhvillohemi dhe kjo është e vërtetë, por si ka mundësi që nuk po ndërtojmë një vend që të ngjajë me një shtet normal, europian. Më kujtohet në vitet ’90 kur kalonim për herë të parë Qafë Thanën dhe hynim në Maqedoni. Atje shihnim vetëm gjelbërim dhe rrugë. Askund pluhur. Tani po bëhen 40 vjet dhe ne përsëri jemi të mbytyr në pluhur. Nuk kalon dot në asnjë aks nacional sepse gjithkund ndërtohet alla shqiptarçe. Rruga për në Korçë po bëhet një tmerr nga ndërtimi sipas mënyrës sonë. Pluhur, dhé e përsëri pluhur. Të zbresësh në jug, po ashtu, gjithnjë ndërtohet e prishet dhe përsëri pluhur.

Në Veri nuk e merr vesh çfarë ndodh sepse edhe aty një rrugë është mbyllur e një tjetër e shkatërruar po përdoret që të shkosh në Lezhë. Si ka mundësi që nuk vendosëm një rregulll në mendje që të nisim një punë, ta bëjmë e mos t’i kthehemi kurrë më. Përse në vitin 2025 duhet të jemi njësoj si në kohën kur prishëm Lanën e ndërtimet pa lejë. E gjithë kjo ka rrezik të na ngulisë në tru sindromën e Kalasë së Rozafës- prish e ndreq, prish e ndreq. Asnjëherë paqe me ambientin. E gjithë kjo mua më duket se është pasojë e asaj plagës së lashtë që kemi me tokën dhe territorin, të cilët, asnjëherë nuk i kemi çmuar si atdhe të përbashkët, por gjithnjë e kemi parë si tokë për t’u zaptuar.

Dhe, për fat të keq, nuk po ndërtojmë një shtet që të na edukojë me ligj se hapësira e përbashkët nuk preket. Edhe kryeministri Rama që përdori shenjën « Kandahar » për kohën para qeverisjes së tij, nuk po na shpëton dot nga PLUHURI dhe nga Kandahari