Nëse vizitoni një park industrial në rajonin lindor të Alsace-s në Francë, do të gjendeni përballë një pamjeje të pazakontë: segmente të çelikut të kuq të ndezur, të rreshtuara njëra pas tjetrës, sikur dikush të kishte çmontuar Kullën Eiffel.
Por këtu, në fshatin Sainte-Croix-aux-Mines, është ëndrra e një njeriu që po merr formë.
Jean-Claude Fassler, 77-vjeçar, dhe nipi i tij 22-vjeçar, Kilian Antenat, prej gati tetë vitesh po rindërtojnë në miniaturë vizionin origjinal të Gustave Eiffel-it të vitit 1889.
Kam qenë fans i Gustave Eiffel-it prej shumë kohësh. Kulla Eiffel është monumenti më i famshëm në botë, kështu që doja ta bëja. Por jo siç është tani; më pëlqen ajo origjinale, ashtu siç e panë Eiffel dhe mjeshtrit e tij kur ndërtuan kullën.
Kulla, që pritet të arrijë 30 metra lartësi kur të përfundojë, bazohet në planet historike të gjetura nga Fassler në një botim të vitit 1989. Ajo mbështetet mbi shtylla prej 8.5 tonësh dhe rikthen me detaje ngjyrën e kuqe dhe elementet dekorative të kullës së vërtetë.
Jean-Claude Fassler: “Aty gjej frymëzim. Libri ka të gjitha dimensionet dhe këndet, por nuk tregon si ndërtohet. Meqë po e bëj në shkallë 1/10, duhet të shpik mënyra montimi që të dalë e qëndrueshme.”
Fassler tashmë është tërhequr nga puna fizike për shkak të moshës, por mbetet drejtues i projektit. Ndërsa nipi i tij, Kilian, merret me gjithçka tjetër: modelimin, prerjet me lazer, saldimin dhe montimin.
Kilian Antenat: “Ne jemi vetëm të dy, kështu që unë bëj shumë më tepër gjëra sesa nëse do të ishim dhjetë. Jam pjesë e gjithçkaje: dizajni, montimi. Në të vërtetë, gjithçka.”
Jean-Claude Fassler: “Për mua është fantastike. Sidomos sepse ai erdhi tek unë që 14 vjeç si nxënës. Po mëson gjëra që nuk do t’i mësonte diku tjetër.”
Kjo marrëdhënie gjeneratash është po aq e fortë sa vetë struktura. Por për Fassler-in, krenaria shoqërohet edhe me një hidhërim: e di se së shpejti nipi i tij do të ndjekë rrugën e vet.
“Do të jem krenar për nipin tim. Por do të jetë e vështirë për mua, sepse ai do të merret me diçka tjetër, dhe kjo është e dhimbshme.”
Projekti pritet të mbarojë më 26 gusht, kur një vinç gjigant do të ngrejë segmentet për t’i vendosur në vendin e tyre. Një moment i madh për një ëndërr të ndërtuar me kursimet dhe mjetet e një jete pune.
“Kur të përfundojë, do të fle një natë në katin e parë. Kështu do të mund të them se e ndërtova dhe se kam një apartament në Kullën Eiffel. Do ta bëj. Është planifikuar.”
Nga Parisi në Alsace, hija e Gustave Eiffel-it mbetet e gjallë. Për Jean-Claude Fassler dhe nipin e tij, kjo nuk është thjesht një kullë, por një monument i pasionit, i trashëgimisë familjare dhe i ëndrrës së realizuar.