Ballina Opinion Intervista e zonjës Lindë, si po fanepset kloni Nexhmijes

Intervista e zonjës Lindë, si po fanepset kloni Nexhmijes

27
0

Nga Ilir J. Dako

Dilema e zonjës Lindë , “paradhoma apo dhoma e gjumit”, nuk është thjesht një çështje semantike, por një metaforë e sofistikuar për raportin e saj me pushtetin. Në intervistën e saj, ajo përpiqet të ndërtojë një narrativë të distancës higjenike, një lloj karantine morale që e mbron nga kontaminimi politik i bashkëshortit. Por sa më shumë që përpiqet të dezinfektojë veten nga pushteti, aq më shumë ekspozohet si një figurë që e ushtron atë në mënyrë të heshtur, të rafinuar, por të frikshme.

Zonja Lindë nuk është thjesht një bashkëshorte që jeton në hije; ajo është një arkitekte e heshtur e vendimeve kyçe, një figurë që vepron përtej protokollit, përtej kamerave, përtej deklaratave. Rasti i RTSH është simptomatik: një institucion publik që kthehet në skenë teatrale ku aktorët politikë,  majtas e djathtas, recitojnë rolet që ajo ka shkruar. Zgjedhja e Eni Vasilit nuk është thjesht një preferencë personale, por një demonstrim i pushtetit të padukshëm, të paemëruar, që nuk ka nevojë për dekret presidencial apo votë parlamentare për të imponuar vullnetin e vet.

Në këtë kontekst, “paradhoma apo dhoma e gjumit” nuk është dilemë, por një iluzion. Zonja Lindë nuk është as në paradhomë, as në dhomë, ajo është në të dyja njëkohësisht, si një figurë kuantike e pushtetit shqiptar, që ekziston në të gjitha hapësirat ku merret një vendim, por pa u dukur kurrë si vendimmarrëse. Ajo është Nexhmija e re, jo për nostalgji ideologjike, por për aftësinë e saj për të kontrolluar narrativën, për të manipuluar perceptimin, për të ushtruar pushtet pa e emëruar atë.

Në fund, ajo që zonja Lindë e quan “distancë higjenike” është në fakt një strategji e sofistikuar e afërsisë totale me pushtetin. Ajo nuk e ndot veten me baltën e politikës sepse e ka sterilizuar atë sipas standardeve të saj. Dhe kjo është forma më e rrezikshme e pushtetit: kur ai nuk ka nevojë të shfaqet, sepse është bërë strukturë, frymë, atmosferë.

Kur e përmendim zonjën Lindë si “kloni i Nexhmijes”, nuk flasim për një ngjashmëri biologjike apo ideologjike të drejtpërdrejtë, por për një riprodhim të sofistikuar të një arketipi pushteti që ka ekzistuar më parë në historinë shqiptare. Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, ishte një figurë me profil të lartë politik, që nuk u mjaftua me rolin ceremonial të zonjës së parë, por ndërtoi një strukturë të tërë ndikimi institucional, propagandistik dhe ideologjik.

Zonja Lindë, në këtë kontekst, nuk është thjesht bashkëshortja e kryeministrit, por një figurë që riprodhon, në mënyrë më të rafinuar, më të padukshme,  atë lloj pushteti që Nexhmija e ushtronte hapur. Ajo nuk ka nevojë për tituj partiakë, për poste zyrtare, për fjalime në kongrese. Mjafton një intervistë, një refuzim, një emërim i shtyrë, për të kuptuar se pushteti i saj nuk është i institucionalizuar, por i interiorizuar. Ajo është kloni i Nexhmijes jo sepse e kopjon, por sepse e evoluon atë: nga figura e propagandës në figurën e influencës; nga drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në kuratore e padukshme e emërimeve mediatike dhe ekzekutive.

Nëse Nexhmija ishte “zonja e parë e socializmit”, zonja Lindë është “zonja e parë e post-transparencës”. Ajo nuk ka nevojë të shfaqet si ideologe, sepse e ka zëvendësuar ideologjinë me narrativën e higjienës. Nuk ka nevojë të flasë për marksizëm, sepse e ka zëvendësuar me puritanizmin fallc. Nuk ka nevojë të drejtojë propagandën, sepse e ka zëvendësuar me kontrollin e perceptimit.

Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku i klonit: kur figura e pushtetit nuk është më e dukshme, por është e shpërndarë në atmosferë, në vendime, në heshtje, në intervista të kuruara. Zonja Lindë nuk është Nexhmije sepse është më pak ideologjike, por është më shumë strategjike. Dhe kjo e bën klonimin e saj më të rrezikshëm: sepse nuk ka më telat me gjemba të kufirit, por ka telat e padukshëm të influencës./ Sot