Ballina Rajoni Picula: Askush në BE s’ka iluzione kush është Vuçiqi – kjo Serbi...

Picula: Askush në BE s’ka iluzione kush është Vuçiqi – kjo Serbi s’mund të anëtarësohet në Union

23
0

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se askush nga faktorët politikë relevantë në Bashkimin Evropian nuk ka më iluzione rreth asaj se kush është presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dhe çfarë lloj pushteti ai ushtron.

Sipas tij, Serbia në gjendjen aktuale nuk ka mundësi të anëtarësohet në BE.

“Çështja është si të përcaktohet raporti ndaj alternativës, pra ndaj atyre që potencialisht mund të vijnë nesër në pushtet, gjë që sot mbetet një dramë politike e pasigurt. Mua më duket se pushteti i Vuçiqit ka legalitet, por ata që protestojnë po fitojnë legjitimitet”, tha Picula për televizionin kroat “Nova TV”, duke u cituar nga “Index.hr”.

Ai kujtoi edhe tragjedinë e rënies së çatisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, duke paralajmëruar se “viktima e 17-të mund të shfaqet në përplasjet gjithnjë e më të ashpra nëpër rrugët e qyteteve serbe”.

“Ky është një paralajmërim jashtëzakonisht serioz për ata që mund të vendosin për kompromiset lidhur me Serbinë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Picula shtoi se Kroacia duhet të jetë politikisht më e ashpër ndaj, siç tha, manipulimeve të pushtetit të Vuçiqit, i cili shpesh ndalon qytetarë kroatë dhe i dëbon nga Serbia.