Nga Eduard Zaloshnja
Ndër vdekjet jonatyrale, vdekjet rrugore apo nga krimi zënë vendin e parë kudo në Europë. Dhe në 12 muajt e fundit, vdekjet e automobilistëve (për milion automjete) apo vdekjet nga krimi (për milion banorë) në Shqipëri kanë qenë nën nivelin mesatar të BE-së.
Kështu, në 12 muajt e fundit kemi patur 56.1 drejtues/pasagjerë automjetesh të vdekur për 1 milion automjete të regjistruara. Ky tregues është nën nivelin mesatar 66 të BE-së. Vdekjet nga krimi në 12 muajt e fundit në Shqipëri ishin 13 për 1 milion banorë. Ky tregues është nën nivelin mesatar 13.1 për BE-në.
Kurse për vdekjet e këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve as që i afrohemi fare Europës!
Kështu, rreth 50% e të vdekurve në aksidente rrugore në 12 muajt e fundit në Shqipëri ishin këmbësorë/biçiklistë/motoçiklistë. Ky tregues në BE është vetëm 20%. Për të gjetur statistika të ngjashme me tonat për këmbësorët/biçiklistët/motoçiklistët, duhet shkuar në Afrikë apo në disa vende të Azisë Juglindore…
Faji për nivelin e lartë të vdekjes së këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve në Shqipëri është i dyanshëm: Kultura e dobët rrugore e popullsisë, nga njëra anë, dhe drejtimi i papërgjegjshëm i automjeteve, nga ana tjetër.