Ballina Politika Qeveria e re, surpriza që socialistët e mësojnë bashkë me popullin. 11...

Qeveria e re, surpriza që socialistët e mësojnë bashkë me popullin. 11 shtatori dhe zbythja politike e kupolës së PS

40
0

Më 11 shtator, socialistët do të mblidhen në Asamble për të prezantuar qeverinë “Rama 4”. Njoftimi ka ardhur zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, që me tonin e një kronisti rutinor konfirmoi orën, vendin dhe rendin e ditës. Asambleja nis në 09:30, tek kompleksi Xibraku në Elbasan, aty ku socialistët do të zbulojnë, mes duartrokitjesh dhe buzëqeshjesh të ngrira, se kush do të jenë ministrat e rinj.

Por ja ku fillon ironia: rendi i ditës është i shkruar me përpikmëri akademike. Fillimisht hapja e mbledhjes, më pas fjala e kryetarit Edi Rama – një ritual i pandryshueshëm. Pastaj, si për të krijuar iluzionin e demokracisë së brendshme, shfaqet pika 3: “Mendime, pyetje dhe diskutime.” Në teori, një hapësirë e artë për debat. Në praktikë? Një pushim i gjatë i heshtjes. Sepse, siç e kanë mësuar vetë anëtarët, edhe ata që emërohen ministra e mësojnë fatin e tyre “live” në sallë, së bashku me publikun.

Pyetjet dhe diskutimet? Për çfarë? Për ministrat që sapo janë caktuar pa pyetur askënd? Apo për një rend dite që duket më shumë si parathënie e një monologu se sa një agjendë diskutimesh? Sarkazma është se socialistët mbledhin Asamblenë si të ishte një parlament i brendshëm, por në fund ajo është vetëm një skenë ku Kryeministri reciton, ndërsa të tjerët bëjnë figurantët e bindur.

Kështu, më 11 shtator, pritet të mësohet qeveria e re. Jo nga diskutimet, jo nga pyetjet, por nga fjala e vetme që ka peshë në atë sallë: ajo e Edi Ramës. Dhe pas saj, pika “Të ndryshme” në rendin e ditës do të mbetet thjesht një metaforë për gjithçka që nuk thuhet kurrë./ vna