Aktori amerikan Matthew McConaughey ka zbuluar se dikur refuzoi një ofertë prej 14.5 milionë dollarësh, pasi nuk dëshironte të luante më në komedi romantike.
Gjatë paraqitjes në podkastin “Ditari i një CEO-je”, ai shpjegoi arsyen e këtij vendimi:
“Po merrja sasi, por jo cilësi. Ajo që dua të bëj është dramë, por Hollywoodi nuk ma ofronte këtë, pavarësisht se sa ulje page pranoja,” tha aktori.
Përpara se të kthehej drejt dramës, McConaughey ishte i njohur për role në komedi romantike si “How to Lose a Guy in 10 Days”, “Failure to Launch”, “Fool’s Gold” dhe “Ghosts of Girlfriends Past”.
“Nëse nuk mund të bëj atë që dua, atëherë do të ndaloj së bëri atë që kam bërë deri më tani. Vendosa të tërhiqem në pronën time në Teksas dhe i thashë agjentit tim: ‘Mjaft më me komeditë romantike’,” kujtoi ai.
McConaughey bëri një pushim dyvjeçar nga aktrimi, gjatë të cilit ofertat u pakësuan ndjeshëm. Në një moment iu ofruan 8 milionë dollarë për një komedi, por ai refuzoi. Prodhuesit u rikthyen me oferta prej 10, 12 dhe më pas 14.5 milionë dollarësh.
“Kur arritën në 14.5 milionë dollarë, thashë: ‘Më lejoni ta lexoj përsëri.’ Dhe ishte e njëjta gjë si oferta prej 8 milionë dollarësh, vetëm e shkruar pak më mirë. Ishte qesharake, e shihja veten aty, por në fund sërish thashë: ‘Jo, faleminderit’,” tregoi aktori.
Ai beson se ky vendim ishte vendimtar për karrierën e tij, pasi kolegët filluan ta merrnin më seriozisht kur u rikthye në Hollywood me role dramatike.