Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Nënshkrimi”, duke sekuestruar 18 asete me vlerë rreth 3 milionë euro, të dyshuara si të përfituara në mënyrë kriminale nga një 35-vjeçare, e cila ushtronte detyrën si notere.
Sikurse bëhet me dije në një njoftim për mediat, mes aseteve të sekuestruara janë 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.
“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja Sanja Telhallari, 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin ‘Nënshkrimi’.
Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare.”, thuhet në njoftimin për mediat.
Më tej bëhet me dije se vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale për zbardhjen e rastit.