Ballina Kosovë Jusuf Azemi: Mbi 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në pesë...

Jusuf Azemi: Mbi 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në pesë vitet e fundit

38
0

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se numri real i qytetarëve që janë larguar nga Kosova është shumë më i lartë se shifrat zyrtare. Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit, vendin e kanë lënë mbi 350 mijë persona, ndërsa rreth 200 mijë prej tyre kanë gjetur punë kryesisht në Gjermani.

“Kjo shifër është mbi 350 mijë, por 200 mijë janë njerëz që kanë gjetur vende pune kryesisht në Gjermani. Shpeshherë kur i japim disa shifra për udhëheqësit e shtetit, ne po i fryjmë këto shifra. Pjesa dërrmuese e këtyre ikjeve kanë qenë punëtorët e sektorit privat, por edhe të atij publik”, ka deklaruar Azemi.

Ai theksoi se paga mesatare aktuale nuk mjafton për një jetë dinjitoze, ndërsa mungesa e sigurisë në punë dhe e perspektivës ekonomike po i detyron mijëra qytetarë të kërkojnë të ardhme jashtë vendit.

“A ka mundësi të më tregojë dikush se a mund të bëjë bazë jetese dikush me këto paga që po merren sot dhe a mund të mbijetojë dikush me 600 euro pagën mesatare? Punëtorët kanë pritë që do të bëhet më mirë, por e kanë kuptuar që nuk ka paga të mira, as siguri në punë, as sigurime. As nuk ka pas dhe as nuk ka perspektivë me jetu në Kosovë”, është shprehur Azemi.