Ballina Kuriozitete Gjurmë 220 metra: Zbulimi spektakolar i dinosaurëve në Oxfordshire

Gjurmë 220 metra: Zbulimi spektakolar i dinosaurëve në Oxfordshire

38
0

Një zbulim spektakolar ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar: një gjurmë e jashtëzakonshme e dinosaurëve, e gjatë 220 metra, është zbuluar në një gurore në Oxfordshire, duke ofruar një pasqyrë unike të jetës së këtyre gjigantëve para 166 milionë vjetësh.

Ekipi i paleontologëve, i filmuar nga BBC, po studion gjurmët e sauropodëve me katër këmbë, ndoshta të llojit Cetosaurus, që arrinin deri në 18 metra gjatësi. Gjurmë më të vogla të një mishngrënësi dykëmbësh, Megalosaurus, janë gjetur gjithashtu në vend.

Emma Nicholls nga Muzeu i Historisë Natyrore i Universitetit të Oksfordit theksoi se këto gjurmë ofrojnë një mundësi të rrallë për të parë se si lëviznin dinosaurët në mënyrë natyrale dhe ecurinë e tyre. Gërmimet e kontrolluara në gurore kanë hequr miliona vjet shkëmb gëlqeror, duke lejuar studimin e detajuar të secilit gjurmë.

Studiuesit kanë përdorur gjurmët për të rindërtuar shpejtësinë e lëvizjes së sauropodit, e cila rezultoi rreth dy metra në sekondë, shpejtësia e një njeriu që ecën shpejt. Peter Folkingham nga Universiteti i Liverpool-it shtoi se këto gjurmë mund të ndihmojnë në kuptimin e sjelljes sociale të dinosaurëve, duke zbuluar nëse ata ecënin vetëm apo në tufë.

Zbulimi përfshin gjithashtu gjurmë fosile të organizmave detarë si midhjet, belemnite dhe iriçët e vegjël, që tregojnë se zona e Oxfordshire ishte një det tropikal i cekët gjatë periudhës Jurasike.

Gërmime të mëtejshme pritet të sjellin zbulime të reja, duke u ofruar paleontologëve një mundësi të rrallë për të studiuar sjelljen dhe mjedisin e dinosaurëve në Mbretërinë e Bashkuar.