Nga Indrit Vokshi
Protesta organizohet nga OVL-UÇK (Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK), jo nga Edi Rama.
OVL organizoi në Prishtinë, në Hagë, sot i erdhi radha Tiranës, pastaj Shkupit. Është në kalendarin e protestave, çfarë lidhjeje ka Edi Rama këtu? Po atje në Hagë kush e organizoi? Fondacioni Soros i Holandës?
Pse e paraqesin si protestë të Edi Ramës? Apo ju nevojitet ta paraqesin si të Edi Ramës që të justifikohen gjoja pse nuk shkuan? Ska asgjë që i justifikon por, gjithsesi puna e tyre. Apo do të grinden këta për protagonizëm, Rama nuk i voton rezolutën për të mos i dhënë protagonizëm këtij, ky shan protestën duke thënë është e Ramës që sna votoi rezolutëm, për të krijuar justifikimin e mospjesëmarrjes.
Une isha aty dhe pashë e takova njerëz që nuk janë hiç me Edi Ramën, skanë qenë kurrë me të. Pashë edhe njerëz që janë me Edi Ramën. Por çfarë rëndësie ka? Kur je në event të tillë, ka prej të gjitha ngjyrave.
Ishin politikanë të PS-së në rresht të parë? Kush i ndaloi politikanët e PD-së të ishin edhe ata në rresht të parë? Ishte psh Bujar Leskaj, askush nuk e ndaloi. Ishte Sami Lushtaku i PDK-së por ishte edhe Përparim Rama i LDK-së, Daut Haradinaj i AAK-së. Askush nuk ndaloi askënd, pavarësisht ndasive partiake.
Shkoni edhe ju në rresht të parë, del pastaj se është protestë edhe e juaja. Apo sdoni të jetë e juaja? Thuaje mor zotni troç, nuk dua të shkoj në atë protestë sepse nuk dua që ata të lirohen nga burgu. Thuaje nuk shkoj, smë pëlqen, sjam me ta, kam interesa të tjera, fije të tjera. Është më e ndershme kjo.
Sali Berisha pra, me status fb, i paska quajtur albanofobë shqipfolës ata që sipas atij po përdorin protestën e UÇK. Dhe ne të tjerët, rrjedhimisht, po u përdorkemi nga këta albanofobët shqipfolsë. Ska hall dmth pa i fyer njerëzit.
Këta demokratët e sotëm, edhe unë si ish-demokrat, kemi shkuar te protesta e Ilir Metës; na ka folur Iliri për kushtetutën, për ndershërinë, kundër vjedhjes, abuzimit, mashtrimit etj. Dhe ne e kemi dëgjuar aty. Tani ketë moralistin e madh blu, dhe moralistët e vegjël pas tij, i shqetësoka hipokrizia, po thonë se ata tek protesta nuk e kanë seriozisht kur flasin për patriotizëm. Vetëm ky e ka seriozisht kur flet për patriotizmin. Pronë e këtij patriotizmi, kush nuk është me ketë, nuk quhet patriot.
Fundja nuk është çudi sepse është i njejti që Rambujenë e ka quajtur “Kështjella e Tradhëtisë”. Aty ishin Rugova, Thaçi, Bakalli, Surroi, Qosja, ishin të gjitha partitë dhe intelektualët e Kosovës, e ata po bënin tradhëti, ndërsa vetëm ky ishte patrioti; të gjithë përfaqësuesit e Kosovës të të gjithë krahëve ishin tradhëtarë, vetëm ky, patriot. Ia vuri Rugova kufirin e se lejoi të shkelte në Kosovë deri në vitin 2006 kur Rugova vdiq.
Gjithkush ka të drejtë të mos dojë dikë, të mos dojë diçka. Ka të drejtë të mbajë krahun e vet. Edhe Sali Berisha e kush e ndjek pas, kanë të drejtë të mos i duan krerët e UÇK. Kanë të drejtë edhe të çmenden nga inati pse Thaçi, Krasniqi, Selimi e Veseli kanë më shumë lavdi se ata, sepse ata do të mbeten në histori si njerëz që u ngritën qysh 20 vjeç dhe, bënë luftë. E në emër të këtij inati i duan në burg e mundësisht të poshtëruar e të shkatërruar. Se sta fal shqiptari as lavdinë as shkëlqimin, sadopak që të kesh.
Ne skemi pse të adoptojmë inatet e tyre, as interesat e tyre, sepse skemi asnjëlloj rivaliteti me ta. Ne duam të mos i dënojnë kot. Kaq është e gjitha. Ai dhe ata, le ta thonë troç, nuk i duam, na vrasin sytë, e të mos fshihen pas fjalëve-maska, jo po morali, jo po hipokrizia, jo po shqiofolësit, jo po albanofobët. Thuaje troç si burrat, sdua, sjam me ta, sepse dihet që i urren e i do në burg.
Për moral e hipokrizi mandej, këta e kanë dëshmuar se janë të gatshëm të mbështesin edhe tipa si ai Fredi Beleri me flamur të Vorio-Epirit, nuk e kanë hiç problem. Thjesht të mos na çajë dërrasat duke krijuar konflikte kot. Të deklarojë sdua të shkoj, kush është me mua të mos shkojë, dhe kaq. Ska nevojë për asnjë justifikim apo përdredhje, se ska justifikim që e shpërlan.