Nga Klevi Elezi
Në Shqipëri, toka nuk është më thjesht një copë dheu. Ajo është kujtesë, trashëgimi, identitet dhe mallkim. Çdo centimetër i saj është ngarkuar me konflikte, falsifikime, dhe një drejtësi që s’është më tempull, por treg. Gjykatat e pronave janë bërë skenat më të errëta të historisë moderne shqiptare, ku vendimet nuk dalin nga ligji, por nga çeku.
Filozofia e drejtësisë në vetvete është e ndërtuar mbi nocionin e së vërtetës. Por ç’vlerë ka e vërteta në një sistem ku ajo blihet? Një gjyqtar që njeh ligjin, por shkel moralin, është më i rrezikshëm se një hajdut që rrëmben me forcë. Sepse i pari e bën krimin në emër të ligjit, e i dyti e bën jashtë tij. Kjo është tragjedia jonë juridike kur padrejtësia legalizohet me vulë dhe firmë.
Nëpër korridoret e gjykatave ku trajtohen çështjet e pronës, njeriu përkulet para pushtetit të dosjes, jo të ligjit. Dosja është thesari i gjyqtarit: aty gjendet vlera e çdo vendimi, çmimi i çdo ndërgjegjeje, pesha e çdo nënshkrimi. Aty ku dikur duhej të sundonte rendi, sot mbretëron ndërmjetësi i errësirës korrupsioni. Dhe ky korrupsion nuk është më vetëm moral; ai është ontologjik, pra, vetë mënyra si sistemi ekziston.
Këta gjyqtarë, të mbyllur në zyrat e tyre sterile, nuk gjykojnë njerëz, por pasuri. Ata nuk shohin familje që kanë humbur gjithçka, por parcela që mund të ndahen, të shiten, të shkëmbehen. Në sytë e tyre, prona nuk është më e shenjtë, është monedhë. Dhe kështu, toka, që duhej të ishte trualli i jetës, është kthyer në terrenin e shitjes së shpirtit.
Por në rrënjët e kësaj sëmundjeje nuk gjendet vetëm gjyqtari. Gjendet një shoqëri e lodhur, që ka pranuar ta shohë drejtësinë si treg. Një popull që e di se për të fituar, duhet të paguajë. Kjo pranim i heshtur është akti më i rëndë i dorëzimit: kur e keqja bëhet normale, dhe padrejtësia, rutinë.
Filozofi francez Montaigne shkruante se “njeriu që e përdor ligjin për të mashtruar është më i lig se ai që e thyen.” Në këtë kuptim, gjyqtarët e pronave nuk janë më roje të ligjit, por inxhinierë të padrejtësisë. Ata ndërtojnë me logjikë ligjore atë që shkatërron moralin shoqëror. Dhe kjo shkatërrim është më e thellë se çdo krim fizik sepse vret besimin.
Në një shoqëri ku drejtësia blihet, prona nuk ka më pronarë. Ka vetëm viktima dhe përfitues. Dhe kur pronari i vërtetë kërkon të drejtën e tij, ai përballet jo me gjykatën, por me një mur të padukshëm të interesave, ku çdo fjalë kushton, çdo e drejtë vonohet, dhe çdo shpresë shuhet në heshtje.
Drejtësia që nuk ndëshkon padrejtësinë, bëhet vetë pjesë e saj. Dhe gjyqtarët që shesin vendime për prona, nuk janë më shërbyes të shtetit, por tregtarë të dëshpërimit njerëzor. Historia do t’i mbajë mend jo si njerëz të ligjit, por si arkitektë të rrënimit moral të një kombi.
Sepse toka e padrejtësisë, për sa kohë të mbillet nga duar të korruptuara, do të japë veç helm.






