Nga Dorian Matlija
Skema tani duket e qartë. Protestën nuk e mund dot me argument dhe i ka mbetur vetëm që ta bëjë pis. Dhe për këtë nevojitet çdo kandidat iranian i mundshëm.
Fillimisht ngritën leqet duke varur flamuj të Izraelit në sheshin e protestës, me shpresë së ndonjë i paudhë, kandidat për iranian, do i jepte qeverisë alibinë që kërkonte. Nuk ndodhi asgjë. Qytetarët kishin hall tjetër, atë me qeverinë.
Kronologjikisht, pasi përpjekja doli huq, ndodhi incidenti i shumëkërkuar me flamurin e Izraelit në ambasadën e këtij shteti. Befas, nga përgjegjëse e drejtpërdrejtë për sigurinë e ambasadës, qeveria doli në rolin e viktimës, duke lënë një shije shumë të keqe që hallin nuk e kishte te turpërimi nga dështimi për të mbrojtur një ambasadë, por te përfitimi politik nga ky incident pa asnjë lidhje me fokusin e protestës.
Pastaj morën deklaratën e Arben Kolës. Ai foli për rrezikun që protestës mund t’i afrohen njerëz që duan ta sabotojnë, ta përçajnë, t’i japin ngjyrim fetar, kombëtar apo të huaj. Pra foli për nevojën e mbrojtjen e protestës nga infiltrimi, jo për faktin se protesta është e infiltruar. Ai foli për frikërat dhe besimet e veta, si një njeri që ka investuar emocionet e veta në protestë.
Por, po ta dëgjojmë me vëmendje, edhe në versionin e pistë, të prerë dhe të montuar nga mediat dhe zarat e pushtetit, Kola nuk përmendi fare Iranin si grup infiltrues. Por propagandës i duhej Irani. Dhe kur Irani nuk del në fjali, e fusin në titull.
Pastaj erdhi rasti i Dritan Goxhajt. Ai Lexoi një deklaratë dhe menjëherë u fut në mullirin e profilizimit pro-Iran, anti-Izrael, ekstremist. Nuk u diskutuan kërkesat e lexuara prej tij. U diskutua Goxhaj, biografia dhe qëndrimet individuale të tij në kohëra të ndryshme. Gjithçka që mund të përdorej për të prodhuar figurën e “të rekrutuarit”.
Kjo nuk është rastësi. Rama ka nevojë për një iranian në shesh. Mundësisht shqiptar. Mundësisht me mikrofon. Mundësisht me fytyrë publike. Dikë që mund t’ia tregojë Washingtonit dhe t’i thotë “E shikoni? Nuk është protestë qytetare. Është operacion hibrid iranian.”
Sepse beteja e tij nuk është vetëm me ne shqiptarët. Ne i pamë gardhet që na përjashtonin nga atdheu, kuptuam korrupsionin në nivele deri në Kuvend ku ligjet përkuleshin nga graviteti i investimeve edhe aty ku duhet të ketë vija të kuqe, pamë dhunën e privatit dhe policinë që rrinte si dekor. Dhe kur gjithçka plasi më hapur, pamë edhe arrogancën e pushtetit. Nuk kemi nevojë për algoritme iraniane për këtë. Beteja e Ramës është edhe me vetë Washingtonin. Atje i duhet të shpjegojë se nuk është ai problemi. Se nuk ka humbur popullin dhe se nuk është bërë barrë. I duhet t’i mbushë atryre mendjen se nuk e menderosi ai çështjen me Zvërnecin, Kushnerin, pronat, lejet e paligjshme, dhe turpin ndërkombëtar të gjithë këtij kapitulli. Sipas tij, problemi qenka dora e huaj.
Dhe për këtë alibi i duhet Irani.
Irani është armiku perfekt për veshin amerikan. Ka konflikt të prezumuar me Shqipërinë për muxhahedinët. Ka motiv propagandistik dhe është njëkohësisht armik i SHBA. Kur thua Irani, tingëllon si rrezik gjeopolitik. Me Iranin në sfond, Rama nuk duket më si kryeministër që i ka rrëshqitur toka nën këmbë, por si aleat amerikan nën një sulm hibrid.
Vetëm se nuk të duhet Teherani për të kuptuar pse njerëzit revoltohen kur një zonë e mbrojtur trajtohet si parcelë private. Nuk të duhet as Moska për të parë mungesën e transparencës se si ndahen pazaret në qeveri. Nuk të duhet ndonjë rrjet antiperëndimor për të kuptuar çfarë do të thotë kur protestues tërhiqen zvarrë nga forca private në sy të policisë.
Rama dhe zarat e mediat e tij, po përpiqen ta kthejnë protestën brenda kutisë së Zvërnecit, për të diskutuar statusin e një zone, leverinë e një projekti, shqetësime të disa ambientalistëve, ca llogari online, ca bot-e, ca influencera që reklamojnë kremra. Por protesta doli nga Zvërneci që kur Rama e tha troç që sa të jetë ai aty, projekti do bëhet. Dhe si ai projekt do bëhej e gjithë ajo hallva me shumë sheqer që ai e ka paketuar te libri i trashë rozë Albanian Files.
Tani protestuesit e sheshit dhe të gjithë mbështetësit e rrjeteve sociale, kanë rënë dakord që zgjidhja e shumë probleme nis nga emëruesi i përbashkët, që është rrëzimi i Ramës.
Një protestë me këtë rikualifikim, e ka motivuar pushtetin të kërkojë liderë proteste. Jo për dialog. Për targetim.
Një protestë pa lider është e vështirë për t’u kriminalizuar. Nuk ke kë të blesh, kë të shantazhosh, kë të shpallësh armik, kë t’ia varësh në qafë “lidhjen me Iranin”. Prandaj merren Kola dhe Goxhaj. Jo sepse ata janë protesta, por sepse duhen përdorur si prova kundër protestës.
Në realitet, ata janë qytetarë aktivë brenda një dallge shumë më të madhe. Mund të kenë pasion, mund të gabojnë në taktikë komunikimi, mund të mos jenë perfektë në formulime. Dhe fundja nuk flasin në emër të të gjithëve por vetëm të një grupi që ndihmon protestën. Nuk janë as organizatore e as udhëheqës ideologë. Protesta është e të gjithëve dhe nuk është zyrë vettingu ideologjik. Në shesh nuk kërkohet certifikatë gjeopolitike. Në shesh kërkohet dinjitet qytetar.
Këtu hyn edhe raporti Blackbird, si versioni i paketuar, “profesional” dhe i eksportueshëm i së njëjtës skemë. Jo më thjesht tituj për Kolën apo Goxhajn, por një dokument që synon t’i japë alibisë pamje gjasme prej inteligjence.
Vetëm se as ai raport nuk e shpëton dot Ramën, sepse as nuk provon sulm kibernetik, as nuk provon se Irani organizoi protestën dhe se shqiptarët dolën në shesh se i komandoi dikush nga jashtë. Ai farë raporti flet për narrativa online, kur është qarkulluar më shumë një lajm, kur një lajm tjetër, etj. Madje vetë raporti pranon se ankesat bazë janë reale.
Pra edhe raporti që Rama tenton të përdorë si gomone shpëtimi i thotë se kosi që u bë det, dhe ku Rama po mbytet, është i vërtetë.
Rama ka hall sepse këtë herë e menderosi keq. E futi çështjen Kushner/Trump në baltën shqiptare të pronave të dyshimta, që lidhen me hetime të trafiqeve ndërkombëtare të narkotikëve, lejeve të paligjshme, dhe mungesës së transparencës e cila shoqërohet me arrogancë qeveritare. I krijoi një problem reputacional shumë të madh njerëzve pranë presidentit amerikan. Për këta del e bërtet që nuk e ka fajin ai por lufta hibride.
Por amerikanët nuk janë budallenj. Ata e dinë dallimin mes protestës së shpikur dhe asaj të vërtetë. E dinë dallimin mes aleatit që është aset dhe atij që po bëhet barrë.
Këtu është frika reale e Ramës. Jo aq shumë te flamingot, te Kola apo te Goxhaj. Madje as te Irani. Frika është se Washingtoni mund të ketë filluar ta shohë si njeri që nuk jep më garanci. Terreni në popull i ka rrëshqitur, miti i tij ka rënë dhe nuk prodhon më frikë, por tallje.
E bëri edhe antimitingun dhe u duk si vaki, me njerëz të sjellë me listë, me urdhër, me nga 15 veta për kokë partie. Nuk kishte popull aty, por administratë dhe kjo e fundit është vetëm inventar pushteti.
Ndërkohë, SPAK po prek dosje të ndjeshme. Çështje tokash, pronash, parash të dyshimta, lejesh, vendimmarrjesh dhe figurash pranë pushtetit. Ballukut iu shtua edhe një akuzë që nisur nga vjetërsia e ngjarjes, bën vaki të ketë qenë gati më herët por tani e mori dritën jeshile për ta plasur me nisje serioze procedurash. Pezullimi i non gratës së Berishës gjithashtu mund të lexohet si sinjal se Washingtoni po bën rikalkulime, mbase edhe për t’i kërkuar Berishës të dalë nga skena dhe të lërë PD-në të rindërtohet për të qenë një kandidate e mundshme në një vakuum të mundshëm. Të gjitha këto tregojnë se Rama ka gjasa që nuk shihet më si garanci e aleatëve dhe karriera politike mund t’i pritet nga jashtë dhe drejtësia ta gllabërojë rehat nga brenda.
Prandaj pra atij i duhet me dëshpërim Irani. Gjithçka, që t’ia hedhë edhe kësaj rradhe dhe të vazhdojë rrijë aty. Dhe atë librin rozë për Shqipërinë, ta vazhdojë ta çojë deri në fund, për ta kthyer këtë vend në një shtëpi të madhe për arkitektë dhe lobistë te dhoma e pritjes, oligarkë dhe investitorë te dhoma e ngrënies, si dhe një lavatriçe e mirë parash te bodrumi. Kurse qytetari të shporret, të shkojë e të gjejë një shtet tjetër me qira.
Jo pra kjo nuk mund të ndodhë. Rama mund të kërkojë sa të dojë iranianë, rusë, grekë, serbë, antiamerikanë, antiizraelitë, antikombëtarë dhe algoritme. Thelbi nuk do ndryshojë. Nëse në Shqipërinë që po vizaton Rama, shqiptarët janë tepër, ne na duhet të vizatojmë një Shqipëri tjetër pa Ramën.







