Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj promovimit të Florenc Dokës si kandidati kryesor i Partisë Socialiste për drejtimin e Cërrikut në zgjedhjet e 9 nëntorit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, ka akuzuar Dokën dhe strukturat drejtuese të Bashkisë Cërrik për përfitime të paligjshme dhe konflikt interesi.
Deklarata e PD-së vjen pas një aktiviteti elektoral të organizuar nga PS në kinemanë e qytetit, ku Ministri Andis Salla lavdëroi Florenc Dokën si “njeriun e duhur për Cërrikun”, duke theksuar njohjen e tij me sfidat e qytetit dhe angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm.
Por sipas zëdhënëses Vangjeli, realiteti është krejt tjetër:
“Pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë nga Andis Salla, kompania familjare në pronësi të z. Doka, i cili njëkohësisht mbante dhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë, ka përfituar fonde publike nga vetë kjo bashki,” tha ajo.
PD thekson se në dhjetor 2023, kompania në pronësi të Dokës u shpall fituese e një ankandi për përdorimin e një fondi pyjor në zonën Mollas, për një sipërfaqe prej 5 hektarësh, me një kontratë simbolike prej vetëm 600 euro në vit.
“Pas gjithë këtij ‘suksesi’, nuk është çudi që së shpejti Florenc Doka të propozohet si ministër nga Edi Rama,” u shpreh Vangjeli. “Ky është vizioni i PS për zhvillimin: përfitime private në emër të zhvillimit publik.”
Deklarata ngre pyetje serioze për integritetin e kandidatit socialist dhe akuzon drejtuesit lokalë për keqpërdorim të aseteve publike në funksion të interesave të ngushta familjare apo politike.
PD bën thirrje qytetarëve të Cërrikut që të reflektojnë përpara ditës së votimeve dhe të mos lejojnë që drejtimi i qytetit të kalojë në duart e atyre që, sipas saj, “shfrytëzojnë pozicionin publik për interesa privatë”.
“Koha për përgjigje është më 9 Nëntor,” përfundon deklarata e Partisë Demokratike.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Në takimin e organizuar disa ditë më parë nga Partia Socialiste në kinemanë e Cërrikut, në kuadër të strategjisë së fushatës drejt zgjedhjeve të 9 Nëntorit, sipas mediave Ministri Andis Salla deklaroi:
‘Florenc Doka është njeriu i duhur për Cërrikun! Ai njeh çdo sfidë të qytetit dhe çdo problem të banorëve. Me Florencin, Cërriku do të ecë përpara me projekte reale dhe zhvillim të qëndrueshëm.’
Por përtej fjalëve dhe promovimeve politike, është e rëndësishme që qytetarët e Cërrikut të njihen me faktet konkrete.
Pas marrjes së detyrës së Kryetarit të Bashkisë nga Andis Salla, kompania familjare në pronësi të z. Doka, i cili mbante njëkohësisht dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj bashkie, ka përfituar fonde publike nga Bashkia Cërrik.
Gjithashtu, në dhjetor 2023, Bashkia Cërrik publikoi njoftimin për fituesin e procedurës së ankandit për Loti 2 – Dhënien në përdorim të fondit pyjor ‘Mollas’, ngastra 52b, me sipërfaqe 5.0 ha.
Fitues i kësaj procedure u shpall kompania në pronësi të Florenc Doka, për një vlerë kontrate prej vetëm 600 euro në vit.
Pas gjithë këtij ‘suksesi’ në Bashkinë e Cërrikut, e drejtuar nga Andis Salla, mbetet për t’u parë nëse Doka do të promovohet më tej, ndoshta një ditë edhe si ministër nga Edi Rama.
Ky është, në thelb, vizioni i shpallur për zhvillimin e Bashkisë Cërrik sipas Partisë Socialiste: përfitime private në emër të zhvillimit publik.
Por qytetarët e Cërrikut duhet të pyesin veten:
A janë të gatshëm të përfaqësohen nga një person i cili ka përfituar fonde publike për biznesin e tij privat, apo po përdor asete publike për qëllime biznesi me fuqinë e postit që mban, dhe jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por po promovohet si ‘njeriu i duhur’ për të drejtuar qytetin?
Koha për përgjigje është më 9 Nëntor.