Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka reaguar pas një deklarate të kryetares së grave socialiste, e cila ka pranuar publikisht se Partia Socialiste ushtron presion mbi të punësuarit dhe familjet e tyre.
Sipas deputetes, kjo njohje e së vërtetës vjen nga një person që për vite me radhë ka qenë pjesë e fushatave ku administrata përdorej si “armë politike” dhe që ka mbajtur funksionin e kryetares së KZAZ në Mat.
“Akuzat tona për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit vërtetohen plotësisht nga kjo deklaratë”, shkruan Vata në postimin e saj në Facebook. Ajo kërkon që kryetarja të drejtohet menjëherë tek Prokuroria për hetim dhe i bën thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër dhe SPAK-ut të veprojnë sipas ligjit.
Deputetja e PD thekson se kur një zë i brendshëm i PS-së flet hapur për frikën dhe presionin, nuk ka më nevojë për prova shtesë, pasi sipas saj, e vërteta ka dalë vetë nga brenda strukturave të partisë.
Postimi i plotë:
Sot vetë kryetarja e grave socialiste ka pranuar publikisht se PS ushtron presion mbi të punësuarit dhe familjet e tyre.
Ajo e di mirë për çfarë flet, sepse për vite me radhë ka qenë pjesë e atyre fushatave ku administrata përdorej si armë politike dhe ka mbajtur dhe funksjonin e kryetares së KZAZ-Mat.
Por më mirë vonë se kurrë: ndoshta tani që e ka ndjerë në kurriz, kupton se çfarë ka kaluar opozita e ndershme në çdo garë elektorale.
Akuzat që kemi bërë per zgjedhjet e 11 majt ,vërtetohen plotësisht nga kjo deklaratë. Zonja Hoti është juriste dhe menjëherë duhet të drejtohet tek Prokuroria për hetim.
I bëj thirrje Prokurorisë së Qarkut Dibër dhe SPAK-ut që të marrin në konsideratë këtë deklaratë dhe të veprojnë sipas ligjit.
Kur zëri i brendshëm i PS-së flet për frikën dhe presionin, nuk ka më nevojë për prova ,e vërteta ka dalë vetë nga brenda.