Pak ditë pas përfundimit të Kupës së Botës, futbolli argjentinas është përfshirë nga një tjetër “stuhi”.
Mediat në Argjentinë raportojnë se presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio “Chiqui” Tapia, është ndaluar nga agjentë të FBI-së në aeroportin JFK të Nju Jorkut, pak para nisjes së fluturimit drejt Buenos Airesit.
Sipas këtyre raportimeve, autoritetet amerikane po zhvillojnë një hetim mbi kontrata komerciale me vlerë mbi 300 milionë dollarë, me dyshime për pastrim parash dhe mashtrim përmes bankave amerikane.
Hetuesit synojnë të zbardhin destinacionin e fondeve, përfituesit e tyre dhe nëse janë shkelur ligjet federale të SHBA-së.
Raportimet pretendojnë gjithashtu se Tapias iu kërkua të dorëzonte telefonin dhe pajisjet elektronike, ndërsa disa zyrtarëve të tjerë të delegacionit argjentinas iu sekuestruan telefonat dhe kompjuterët, duke shkaktuar vonesë në nisjen e avionit çarter pas finales së Botërorit.
Në qendër të hetimit thuhet se ndodhet edhe kompania Tourprodenter, me bazë në Florida, përmes së cilës janë administruar pagesa që lidhen me kontrata të rëndësishme tregtare të futbollit argjentinas.
Megjithatë, AFA reagoi menjëherë duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet. Në një deklaratë zyrtare, federata i cilësoi raportimet “kategorikisht të pavërteta”, duke theksuar se Tapia dhe sekretari Pablo Toviggino nuk janë marrë në pyetje, nuk u janë sekuestruar pajisjet elektronike dhe nuk kanë asnjë detyrim procedural ndaj autoriteteve amerikane. Federata pranoi vetëm se një palë e tretë është thirrur të dëshmojë para një jurie federale në SHBA, ndërsa hetimet vijojnë.







