Krahasimi i çmimeve të makinave nëpër Evropë është një sfidë e ndërlikuar. Përqendrimi vetëm te një apo disa modele specifike mund të duket si një qasje e arsyeshme, por shpesh çon në keqinterpretim. Krahasime të tilla nuk pasqyrojnë situatën e përgjithshme të tregut në çdo vend, pasi markat e makinave ndjekin strategji të ndryshme çmimesh dhe marketingu.
Një mënyrë për të parë këto dallime është indeksi i nivelit të çmimeve për “pajisjet e transportit personal”, i publikuar nga Eurostat.
Të dhënat përfshijnë makina, motoçikleta dhe biçikleta, por përjashtojnë mirëmbajtjen, riparimet, pjesët e këmbimit dhe karburantin. Për makinat, përfshihen si automjetet e reja ashtu edhe ato të përdorura.
Indeksi përdor 100 € si mesatare të BE-së, duke treguar se si ndryshojnë çmimet nga kjo bazë në vende të ndryshme.
Shqipëria mbi mesataren e BE-së
Sipas të dhënave, në Shqipëri, niveli i çmimeve të mjeteve të transportit personal (makina, motoçikleta, biçikleta etj.) arrin 105.9, që do të thotë rreth 6 % më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian (100). Ky pozicion e vendos vendin në nivel të ngjashëm me Belgjikën (105.3) dhe përpara Gjermanisë (100.4) apo Francës (99.8). Shqipëria është gjithashtu dukshëm mbi shumicën e vendeve të rajonit, duke treguar se kostot për blerjen e një makine të re apo të përdorur janë më të larta se fqinjët ballkanikë.
Krahasimi me Ballkanin
Në rajon, situata është e ndryshme: Bosnja dhe Hercegovina ka nivelin 97.1, pra rreth 9% më lirë se Shqipëria. Kroacia me 98.1 është gjithashtu nën mesataren e BE-së, dhe 8 % më lirë se Shqipëria; Serbia shënon 93.1, afërsisht 13 % më lirë; Mali i Zi ndodhet në 92.8, ndërsa Greqia, megjithëse anëtare e BE-së – ka 93.0, pra të dyja rreth 12–13 % më poshtë se Shqipëria.
Polonia dhe Rumania, dy tregjet më të mëdha të Evropës Lindore, kanë përkatësisht 92.8 dhe 94.0, duke treguar po ashtu çmime më të ulëta. Maqedonia e Veriut renditet më poshtë në të gjithë rajonin me 87.7, pra rreth 17 % më lirë se mesatarja evropiane dhe pothuaj 20 % më lirë se Shqipëria.
Të dhënat në kontekstin evropian
Në gjithë Evropën, diferencat janë të mëdha: nga Irlanda dhe Zvicra, ku niveli kalon 110, deri te Sllovakia (88.6) dhe Maqedonia e Veriut (87.7) në fund të renditjes.
Shqipëria, me 105.9, pozicionohet në grupin e vendeve me çmime të larta, menjëherë pas Zvicrës (110.2) dhe përpara shumë shteteve të BE-së si Gjermania, Franca, Italia apo Spanja.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka çmimet më të larta për automjete në të gjithë Ballkanin, duke kaluar edhe shumë shtete të zhvilluara të BE-së, një tregues që lidhet me kostot e importit, taksat, dhe tregun relativisht të vogël të brendshëm.
Turqia është vendi më i shtrenjtë në Europë për makinat dhe mjetet e tjera personale të transportit, ndër 36 vende të analizuara. Çmimet janë 36.4 % më të larta se mesatarja e BE-së — që do të thotë se një mjet që në BE kushton 100 €, në Turqi do të kushtonte 136.40 €. /ekofin.al