Nga Kim Mehmeti
Kalendarin e një populli nuk e shënojnë vitet që ai ka kaluar, por ngjarjet që qëndrojnë si kufij, duke e ndarë kohën në para dhe pas ndodhjes së tyre.
Siç janë, për shembull, protestat e studentëve të 8 Dhjetorit historik të vitit 1990, që rrëzuan enverizmin dhe shënuan kohën para dhe pas sistemit socialist.
Dhe të tilla do të jenë edhe protestat e sotme në Tiranë, të cilat do ta shënojnë kohën para dhe pas revoltës rinore që i tha mjaft “Enverit të Dytë”, i cili, paturpësisht dhe si askush tjetër në historinë tonë, u tall me popullin shqiptar – Piktorit.
Edhe njerëzit nuk i përcakton jetëgjatësia e tyre, por aftësia për ta lexuar drejt kalendarin në të cilin kanë jetuar dhe sipas asaj se sa janë rreshtuar me ata që kanë flijuar diçka për të ardhmen dhe të mirën e popullit të vet.
Njerëzit, pra, nuk i përcakton jetëgjatësia, por mënyra se si kanë jetuar: duke ecur drejt apo si zvarranikë, të cilëve fatin ua ka përcaktuar “prijësi”.
Pa dyshim se edhe pas këtyre protestave rinore në Tiranë – si pas të gjitha ngjarjeve që ndajnë epokat mes tyre – do të ketë nga ata që do të mburren dhe nga ata që do ta arsyetojnë jargavitjen ndaj Piktorit, i cili i ushqente begatshëm vetëm që të prodhonin sa më shumë jargë.
Andaj këta të rinj, që i thanë mjaft përbuzjes që as armiqtë nuk kanë mundur t’ia bëjnë shqiptarisë, do të jenë ata para të cilëve do të turpërohemi ne që u jargaviteshim burrështetasve të cilët nuk ndërtuan, por rrënuan shtet.
Ata, pra, do të jenë të vetmit që do të mund të krenohen e të na thonë: “E shpërlam mëkatin e prindërve tanë, të cilët popullin dhe vendin e lanë në duart e hajdutëve, dhe ia kthyem krenarinë dhe dinjitetin shqiptarisë!”







