Ballina Sport Shpëtimtari Gabbia, momenti komik në fitoren e Milanit

Shpëtimtari Gabbia, momenti komik në fitoren e Milanit

34
0

Rafael Leao u rikthye pas lëndimit dhe i solli Milanit një fitore të madhe ndaj Fiorentinës, duke shënuar të dy golat në triumfin 2:1 të kuqezinjve në “San Siro”.

Pas një fillimi sezoni të vështirë dhe disa ndeshjeve nga stoli, sulmuesi portugez shkëlqeu sërish, duke përmbysur rezultatin me golat në minutat e 63-të dhe 86-të, që e ngjitën Milanin në krye të tabelës së Serie A.

Gjatë festimit të golit të dytë, Leao tentoi të hiqte fanellën, por shoku i tij i skuadrës Matteo Gabbia e ndaloi në momentin e fundit, duke i shmangur një karton të verdhë të panevojshëm.

Skena shkaktoi momente komike, pasi Leao u përpoq disa herë ta hiqte fanellën ndërsa Gabbia e mbante me të dyja duart, duke ditur se portugezi është shpesh i prirur ndaj ndëshkimeve.

Në fakt, edhe pse është sulmues, Leao ka një histori me kartonët e verdhë: sezonin e kaluar mori pesë, ndërsa në atë paraardhës shtatë dhe një të kuq, arsye pse kujdesi i Gabbias ishte më shumë se i justifikuar.

Milani fitoi, derisa reagimi i shpejtë i Gabbias bëri që Leao të mos merrte një karton të verdhë.