Ballina Opinion Kodi Rrugor duhet ashpërsuar shumë!

Kodi Rrugor duhet ashpërsuar shumë!

28
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në vitin 1990, vetëm 4 shtetas shqiptarë humbën jetën në aksidente rrugore – për arsyen e thjeshtë se fare pak automjete qarkullonin në rrugët e Shqipërisë atëherë…

Me liberalizimin e përgjithshëm të vendit, u shtuan në mënyrë eksponenciale automjetet që qarkullonin në rrugët e Shqipërisë, e për pasojë, edhe vdekjet rrugore. Kulmi i vdekjeve rrugore u shënua në vitin 2010 – plot 352 shtetas humbën jetën në aksidente rrugore!

Vijmë në ditët e sotme.

Këtë vit, teksa numri i automjeteve të regjistruara me targa shqiptare ka arritur shifrën 1 milion (sa trefishi i atyre të 2010-ës), numri i vdekjeve rrugore është përgjysmuar. (Le të shpresojmë që të mos ndodhë ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme rrugore deri në fund të këtij viti!)

Sidoqoftë, ky përmirësim i jashtëzakonshëm i sigurisë së jetës nëpër rrugët e vendit, fsheh një problem, që nqs se zgjidhet, na barazon me mesataren e BE-së!

Gjysma e vdekjeve rrugore këtë vit në Shqipëri janë ndër kalimtarët, biçiklistët, motopatinistët dhe motoçiklistët. Në Bashkimin Europian, vetëm 20% e vdekjeve rrugore janë në këtë kategori të përdoruesve të rrugëve. Në qoftë se do të kishim edhe ne një përqindje të ngjashme, do ta kishim në nivelin e BE-së treguesin e vdekjeve rrugore për milion automjete të regjistruara!

Një zgjidhje afatshkurtër e këtij problemi mund të jetë ashpërsimi i Kodit Rrugor për të gjithë përdoruesit e rrugëve – si për kalimtarët, biçiklistët, motopatinistët dhe motoçiklistët, ashtu edhe për drejtuesit e automjeteve që i vrasin ata…

Një zgjidhje afatgjatë (pas ashpërsimit të Kodit Rrugor) do të ishte zhvillimi i fushatave publicitare në media nga Ministria e Brendshme, për të rritur ndërgjegjësimin e popullsisë se zbatimi i rreptë i Kodit Rrugor të shpëton jo vetëm kuletën, por edhe jetën…