Teksa Ervis Martinaj vijon i zhdukur prej gushtit të vitit 2022, babai i tij Mustafa Martinaj ka kërkuar sot zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit.
I ftuar në një emision televiziv, gazetari Elton Qyno, tha se tashmë që ai rezulton i zhdukur do të pushohet edhe hetimi pasuror ndaj tij.
‘Çështjet në Prokurorinë e Posaçme kundër Martinajt pushohen automatikisht, sepse ka një vendim gjykata se është i zhdukur dhe hetimi pasuror ndaj tij që ka nisur në Prokurorinë e Posaçme sjell pushimin e procedimit. Kërkesa e familjes së tij, është kërkesë procedurale për arsyen e zhdukjes së personit, ai po bënë 3 vite që është zhdukur dhe në këto kushte familjarëve u lind e drejta brenda një afati kohor që ti drejtohen gjykatës me një kërkesë duke kërkuar që përmes një vendimi, familjari i tyre të deklarohet i zhdukur që më pas ky vendim gjykate të çohet në Prokurorin e Posaçme, ku ai ka dy çështje por edhe në gjendjen civile të bashkisë Kurtin për çregjistrimin e tij nga gjendja civile dhe kalimin e aseteve trashëgimore në emër të familjes së tij’, tha ai.
Qyno tha se i dyshuari kryesor për zhdukjen e tij është Aldo Avdyli.
‘I vetmi që është i dyshuar për zhdukjen e Ervis Martinajt është Aldo Avdyli. Por, Martinaj është një nga personazhet që ka një interes të madh në publik. Ai kishte një audiencë të madhe edhe në shoëbiz, po ashtu edhe me lojërat e fatit. Mjafton një foto e tij dhe një titull në portale, lajmi kuptohet që renditet në lajmet e para më të lexueshme. Nëse ai shfaqet sot duket që të ekzekutohet dy masa sigurie arrest me burg që ka, por unë mendoj se ai është zhdukur plotësisht’, tha ai.
Një koment e pati edhe për ngjarjen që ndodhi sot në Durrës, ku pas një debati me kamarierin për një kafe në një lokal ka përfunduar me dy të vrarë në Manëz.
‘Është një ngjarja e ngjashme me ato që ndodhnin nga vitit ’94 deri në vitin 2000, ku shqiptarët vriteshin në bilardo për arsye banale dhe kjo ngjarje duket e dhimbshme se sa e lehtë është arsyeja dhe forma për të marrë një jetë njeriu. Ka akoma të rinj që për arsye të vogla shkojnë deri aty sa nxjerrin armën dhe qëllojnë njëri- tjetrin. Nuk dihet ende se kujt i përket arma e zjarrit’, tha ai.