Ballina Opinion Sikur Florjan Binaj të ishte kandidat kundër Berishës?!

Sikur Florjan Binaj të ishte kandidat kundër Berishës?!

114
0
Screenshot

Nga Dashnor Sula

E imagjinoni dot sikur Florian Binajn të dilte kandidat i pavarur kundër Sali Berishës? Jo në listën e tij, por përballë tij. Të kishte dalë për shembull nën siglën e Shqipëria Bëhet apo edhe të Partisë Socialiste (meqë ka qene afër figurave të rëndësishme të PS). A do të ishte i njëjti qëndrim karshi Binajt apo e gjithë retorika e “pavarësisë” do të kthehej në “armiqësi”.
Në ka një gjë për të cilën shquhet kryetari i ish-shoqërisë aksionere që është kthyer në kioskë, është etiketimi që i bën kundërshtarëve. Në këte kontekst edhe Binajn nuk do ta linte pa “kurorë”.
Një ditë do ta quante “kopjen e diktatorit”, tjetrën picashpërndarësin e Veliajt”, e ndoshta “fytyrën që i bënte PR milionave të vjedhura”, për rolin që dikur kishte pranë Ramës dhe Veliajt. Një ditë tjetër do sillte kujtimet e së shkuarës dhe do e shpallte “aktorin e Narkoshtetit”, “pengun e Ramës”.
Për kryetarin e SHA-së së dikurshme të shndërruar në kioskë të vogël, kush nuk është me të, është peng dhe kush është kundër tij, është tradhtar dhe armik i egër i demokracisë.
Në ndonjë studio televizive, ndoshta do e akuzonin edhe për protestat civile ku ai ka marrë pjesë, si “i shitur”, “i përdorur”, “i komanduar nga lart”.
Në një realitet të tillë, Sali Berisha do të gjente çdo mënyrë për ta gozhduar. Ai do ta kthente aktorin në armik, humorin në propagandë, ironinë në mëkat. Do ta bënte me atë mjeshtëri që e njeh vetëm ai: Duke e veshur me gjuhën e “parimeve”, por duke goditur me shpatën e mllefit.
Por ja paradoksi: Flori Binaj nuk është kundër Berishës.
Ai është pjesë e një skeme që, më shumë se e frymëzuar nga pavarësia, duket e ndërtuar për mbijetesë politike.
Prandaj lind pyetja: si arriti ta bindë Berishën, njeriun që nuk i është nënshtruar as Amerikës, as kohës, as askujt tjetër, që të pranojë një figurë si Flor Binaj?
A është kjo pavarësi e Binajt, apo dobësi e Berishës?
Po të ishte e kundërta, po të ishte Flori përballë tij, Doktorit nuk do t’i duhej shumë për ta “zbërthyer”.
Do mjaftonte një fjalim,y një gjest, një shenjë me gisht, dhe turma do e kishte bërë copë në rrjete sociale: “aktori i Ramës”, “shoku i Veliajt”, “vegla e Sorosit”.
Nëse Flor Binaj do të guxonte të dilte përballë tij, nuk do ta shpëtonte as “pavarësia”, as “kauzat”. Edhe tani që ka pranuar të jetë kandidaturë e “pavarur”, vetëm se tha se në fushatë do jetë pa kryetarin e PD-së, iu lëshuan disa “mendimtarë opozitarë”
Koha politike ka treguar se Berisha nuk njeh kundërshtarë, njeh vetëm armiq.
Prandaj ndoshta edhe Florit i ka shkuar për mbarë kjo marrëveshje e heshtur: më mirë në krah të një Berishe që të përdor, sesa një Berishe që të zhduk politikisht.
Në fund të fundit, politika shqiptare nuk i do të pavarurit, i do të përkulurit. Ndoshta, në këtë rast, nuk është Flor Binaj ai që e ka bindur Berishën, por është Berisha që e ka bindur Binajn se në këtë vend, pavarësia nuk shpërblehet, por dënohet.