Ballina Sport Vllaznia fiton klasiken kundër Tiranës, Elbasani mposht Bylisin

Vllaznia fiton klasiken kundër Tiranës, Elbasani mposht Bylisin

72
0

Emocione dhe gola kanë dhuruar dy sfidat e pasdites të kampionatit Abissnet Suoperiore në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Vllaznia përmbys Tiranën dhe fiton 3-1 klasiken e futbollit shqiptar në “Loro Boriçi”, ndërsa Elbasani rikthehet te fitorja, pasi mposht 2-1 Bylisin në shtëpi.

E bukur dhe e luftuar ka qenë kryendeshja e kësaj jave në Abissnet Superiore, përballja Vllaznia-Tirana, që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport. Derbi i Shqipërisë nis shumë mirë për Tiranën, që kalon në avantazh me Tabekou. Shkodranët reagojnë menjëherë dhe barazojnë shifrat me një supergol të Yagos, ndërsa pak minuta më vonë kapiteni Balaj shënon golin e avantazhit.

Pjesa e parë mbyllet 2-1 për vendasit, që me fillimin e pjesës së dytë detyrohen të luajnë në inferioritet numerik, pasi Kuros, i sapofutur në fushë, ndëshkohet me karton të kuq. Tirana mundohet të përfitojë, por nuk arrin dot te goli. Përkundrazi janë kuqeblutë ata që fitojnë një penallti, që kthehet në gol nga Kastrati. Mbyllet 3-1 për Vllazninë klasikja dhe shkodranët ruajnë kreun e renditjes, tashmë në kuotën e 19 pikëve. Pas kësaj disfate Tirana mbetet në zonën e ftohtë që të çon në kategorinë inferiore.

Në ndeshjen tjetër të pasdites, Elbasani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1. Diallo ka qenë heroi i verdhebluve, me një dygolësh. Bylisi ka luajtur më shumë se një orë në inferioritet numerik, pas largimit me karton të kuq të Brunos. Elbasani rikthehet te fitorja pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa Bylisi mbetet në kuotën e 6 pikëve në klasifikim.