Ballina Opinion Nano ose guximi për të ikur pa pasur frikë nga vetja

Nano ose guximi për të ikur pa pasur frikë nga vetja

166
0

Nga Namir Lapardhaja 

Nëse ka diçka që nuk do t’i mohohet asnjëherë Fatos Nanos, është guximi dhe forca e tij e madhe për të ikur, për t’u larguar, për të mos e mbajtur partinë peng dhe për të mos u kapur pas saj me thonj për t’u ruajtur nga frikërat e vetes. Nuk e bëri këtë vetëm kur u largua në 2005, e kishte bërë disa herë edhe më parë.

Ndonëse pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, mund të qëndronte në krye të PS-së, mund të ‘riorganizonte’ ‘bazën’ dhe mund të shpikte kongrese shpëtimi, të prodhonte një retorikë rikthimi dhe ringritjeje, zgjodhi të shohë punët e veta dhe ta lërë Partinë Socialiste të ecte pa hijen e tij.

Mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur në politikë pas largimit të Nanos për të kuptuar se i vetmi akt politik në këto dy dekada, është vetëm dorëheqja dhe largimi i tij nga drejtimi i PS-së.

Padyshim që Nano kishte veset e veta të mëdha, patjetër që ai donte të rikthehej disa herë si President i Republikës, mirëpo, edhe pse i kishte mundësitë për të bërë rrëmujë, për të prishur punë, për t’u futur në pazar dhe negociata, nuk bëri asnjë nga këto, duke mos prevaluar tek ai hakmarrja dhe inati, por butësia dhe liberalja.

Gjatë angazhimit të tij poltik pati akuza të rënda, por fakti që pas largimit të tij nga politika askush nuk u mor më me to, tregon pikërisht të kundrtën e asaj për të cilën e akuzonin, madje akuzonjësit më të mëdhenj u detyruar t’i tërhiqnin dhe të thoshin se kishin qenë vetëm për konsum politik dhe aspak të vërteta.

Në kushtet e një polarizimi ekstrem, ku askush nuk pranon të tërhiqet, Nano sot largohet i nderuar, duke na lënë një mësim të madh në politk: dinjitetin e përballjes së rezultatit dhe të mos pasurit frikë nga vetja në raport me atë se çfarë e pret pa pasur imunitet politik.

Shqipërisë i mungon kultura e largimit dhe e tërheqjes nga poltika, kjo edhe për shkak të mëkateve të mëdha dhe frikës prej hakmarrjes, ndaj Nano edhe nëse harrohet për të tjerat, do të mbahet mend pikërisht për kulturën e të larguarit dhe të pranuarit të realitetit, duke mos e parë ikjen si fundin e gjithçkaje, por si një mënyrë për të reflektuar dhe për të ruajtur fytyrën.