7 vite më parë, pikërisht në Gjeorgji, Briken Calja shkroi me germa të arta emrin e tij në sportin e peshëngritjes duke u “veshur me ar”, një “tripletë” medaljesh ari që i dhuruan statusin e kampionit të Evropës. 7 vite më pas historia përsëritet sërish, sërish në Batumi të Gjeorgjisë, këtë herë duke fituar 2 madje, ar në shtytje dhe argjend në dygarësh. Pavarësisht moshës, dëmtimeve të shpeshta, Briken Calja kaloi çdo limit duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje në Evropianin e Peshëngritjes. Calja shndërrohet në një legjendë të gjallë me peshëngritësin nga Shtërmeni që ishte fantastik në pedanë.
Calja garoi në peshën 79 kg, ku në shkëputje realizoi me sukses vetëm provën e parë, 153 kg, duke u renditur në vendin e 4-ët. Në shtytje, Calja ishte fenomenal ku në provën e tretë arriti të mbajë larg peshën 187 kg që i dhuroi medalje ari në këtë stil. Me 340 kg në dygarësh, Briken Calja e mbylli në vendin e dytë duke siguruar medalje argjendi dhe statusin si nën kampion Evrope.







