Ballina Kosovë ​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

74
0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta mbështesë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Vitisë, për balotazhin e 9 nëntorit.

Këtë e ka bërë të ditur ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, i cili në raundin e parë të votimit ka marrë 2.89 për qind të votave.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, është në garë në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, i cili është edhe kryetar aktual.

Bislimi ka thënë se ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit të tyre, siç ka thënë, “pozicionimit të tyre karshi të keqes së komunës së Vitisë”.

“Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet, pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona, sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatëm dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë, që me emër thërrasim Sokol Haliti. Aleanca Dega në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndaj proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes. Ajo ka pasur dhe gjithmonë do të ketë qëndrime dhe pozicione politike, duke iu përgjigjur situatave të kohës. Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh edhe njëherë guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike; për t’i ndihmuar dinamikat shoqërore dhe për t’i shtyrë përpara vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët e komunës tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Në raundin e parë të votimit më 12 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti, ka marrë 38.01 për qind të votave, kurse kandidati i LVV-së, Arsim Ademi, ka marrë 33.46 për qind.