Kandidati i pavarur për Bashkinë e Mat, Eduart Brahilika, ka deklaruar se procesi i votimit është shoqëruar me probleme serioze dhe presion ndaj votuesve.
Sipas Brahilikës, gjatë gjithë fushatës ai ka dërguar mesazhin e tij tek qytetarët për një ndryshim të qeverisjes lokale, duke theksuar se qytetarët e Matit duhet të votojnë lirshëm.
“Mesazhi im ka qenë gjithmonë i qartë: votoni për ndryshim! Shqipëria po tkurret çdo ditë dhe nuk mund të kemi më të njëjtin nivel administrativ që pengon të drejtën e votës. Kur hyra në këtë garë, hyra me bindjen e plotë se matjanët duhet të votojnë lirshëm,” tha Brahilika.
Ai ka akuzuar komisionerët dhe punonjësit e administratës lokale, të cilët sipas tij janë gjithashtu patronazhistë të partive, për pengimin e procesit të votimit.
Brahilika tha se vetë ka konstatuar raste flagrante dhe se edhe vëzhguesit e tij kanë evidentuar shkelje që do të çojnë në kallëzime.
“Kam stafin tim lektoral dhe indicie të qarta për parregullsi. Kjo nuk ndodh vetëm në Mat, por në gjithë Shqipërinë,” shtoi ai, duke paralajmëruar reagime ligjore ndaj veprimeve që cenojnë votën e qytetarëve.







