Nga Ermal Peçi
Ka një fabul që duhet të mësohet në çdo kurs për politikë shqiptare: ajo që Ylli Rakipi tregoi vite më parë me humorin e tij therës. Ishte një bisedë me Sabri Godon, ku Rakipi përmblodhi në një fjali gjithë tragjikomedinë e “të pavarurve” në realitetin tonë:
“E ato të dashit, kur i sheh nga larg, duken si të pavarura. Po kur afrohesh, kupton që varen edhe ato diku.”
Në këto pak fjalë fshihet e gjithë filozofia e pavarësisë shqiptare nga partitë te kandidatët që dalin “kundër sistemit”, por që në fakt janë vetë produkti më besnik i tij.
Dje, ajo që ndodhi me kandidatët e ashtuquajtur “të pavarur” të Berishës ishte farsa më e qartë e këtij tranzicioni pa fund. Me flamuj “për ndryshim”, por me frymën e vjetër të komandës, ata dolën për të shpëtuar “kauzën” dhe përfunduan duke e fundosur më keq. Dolën si oksigjen për Berishën, por nuk i dhanë as frymën e fundit.
Për disa javë, u shitën si simbol i revoltës qytetare. Me retorikën e “jam i pavarur”, u përpoqën të krijonin përshtypjen se përfaqësonin një Shqipëri ndryshe. Por sapo u mbyllën kutitë, rezultoi se ishin pikërisht si në metaforën e Godos: duken si të lira, por varen nga i njëjti trung.
Berisha i përdori për të treguar se “populli është me të”, por populli nuk i pa as si të vetët, as si të reja. Shqiptarët, me gjithë lodhjen e tyre, ende dallojnë midis atyre që dalin për një ideal dhe atyre që dalin për t’i bërë qejfin një njeriu që nuk heq dorë nga skena politike, edhe pse s’ka më asgjë për të ofruar.
Kësaj here, “të pavarurit” e Berishës u varën vetë, në rezultatin e dobët që morën.
Në fund, Berisha mbeti pa oksigjen dhe pa alibi, sepse nuk mund të ringjallesh me ajrin që del nga mushkëritë e tua politike, të mbushura me nostalgji, inat dhe hakmarrje. Ai deshi të tregonte se ende ka jetë përmes të tjerëve, por të tjerët nuk e shpëtuan dot, sepse nuk ishin as “të tjerë”, as “të lirë”.
Prandaj, sa herë që në Shqipëri del ndonjë “i pavarur”, kujtoni bisedën e Rakipit me Sabri Godon për dashin: nga larg duket i lirë pra i pavarur.
Por kur afrohesh, kupton se edhe “pavarësia” e tij varet — dhe pikërisht aty ku nuk duhet.
Në politikën tonë, koha ka treguar se “të pavarurit” janë gjithmonë të varur.
E vetmja gjë që ndryshon, është këndi nga i cili i sheh dhe kujt i shërbejnë.







