GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-deputetit të PS, Plarent Ndreca, për t’u gjykuar me gjykim të zakonshme. Ndërkohë, gjykata ka rrëzuar kërkesën e tij për shpalljen e mungesës së kompetencës së GJKKO-së në shqyrtimin e çështjes.
Me këtë vendim, Ndreca do të gjykohet i vetëm në GJKKO, ndërsa 15 anëtarët e tjerë të Komisionit të vlerësimit të ofertave do të përballen me drejtësinë përmes procedurës së shkurtuar.
Plarent Ndreca u mor i pandehur nga SPAK më 28 tetor, nën akuzën për veprën penale “shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”. Procedurat e këtij tenderi janë zhvilluar gjatë kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj.
Nga ana tjetër, 13 prej të pandehurve akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, ndërsa 3 të tjerë për “falsifikim dokumentesh”, po ashtu të kryer në bashkëpunim.







