Ballina Aktualitet Jepet leja për kullën rekord në Tiranë me 67 kate

Jepet leja për kullën rekord në Tiranë me 67 kate

116
0

Biznesmeni Shkëlqim Beshiri do të vendosë së shpejti një rekord të ri për Tiranën, duke ndërtuar kullën më të lartë, plot 67 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë. Si askush tjetër, ai ka marrë lejen e Këshillit Kombëtar të Territorit për qiellgërvishtësen më të lartë të kryeqytetit.

I njohur në Tiranë që herët si Shkëlqimi i kafes “Segafredo”, Beshiri u shtri në pasuritë e paluajtshme dhe më pas me lulëzimin e ndërtimit në Shqipëri, por veçanërisht në kryeqytet dhe bregdet, kompania e tij nisi të operonte dhe si ndërtuese.

KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka miratuar lejen e ndërtimit për objektin: “Godinë banimi, shërbimesh dhe hoteleri 1, 2, 3, 33, 34, 59, 60, 62 dhe 67 kate mbi tokë, me 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Bulevardi i Ri”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k.

Kompania e Shkëlqim Beshirit thotë se për më shumë se dy dekada është një emër i shquar në industrinë e ndërtimit, duke fituar një reputacion të fortë dhe një pozicion kyç në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

“Klar” sh.p.k është blerë në vitin 2008 nga Shkëlqim Beshiri dhe siç është deklaruar zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit, objekti i aktivitetit ka ndryshuar në “real estate”, pra tregtim i pasurive të paluajtshme, “tregti të kafesë”, “imp – eks, te artikujve ushqimore industriale etj.”

Në vitin 2013, kompania deklaron zyrtarisht dhe një objekt të ri të veprimtarisë, duke shtuar “Të realizojë ndërtime.”

Kështu, Shkëlqim Beshiri u fut në biznesin e ndërtimit dhe më shumë se një dekadë më pas, ka marrë leje për të ndërtuar qiellgërvishtësen më të lartë në Tiranë, plot 67 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë, duke zbritur nga froni Agron Papulin.

Leja për kullën 58 katëshe të Gon Papulit është miratuar prej kohësh, por ajo nuk ka nisur të ndërtohet dhe nëse dikush tjetër nuk ndërton një përbindësh betoni më të lartë në të ardhmen, Shkëlqimi i kafes “Segafredo” do të jetë rekordmen me 67 katëshin e tij. Sigurisht, pasi të ndërtohet…/Newsbomb