Ballina Bota Cristiano Ronaldo takohet sot me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë

Cristiano Ronaldo takohet sot me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë

75
0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të presë sot yllin portugez të futbollit Cristiano Ronaldo në Shtëpinë e Bardhë, vetëm pak muaj para nisjes së Kupës së Botës, e cila këtë verë do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Vizita vjen ndërsa raportohet se Portugalia ka planifikuar një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar amerikan gjatë dritares së ndeshjeve të marsit.

Sipas rrjetit amerikan “MS NOW”, Ronaldo pritet të mbërrijë në të njëjtën ditë kur Trump do të zhvillojë një takim edhe me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Nuk është ende e qartë nëse dy takimet lidhen mes tyre, megjithëse lidhja e Ronaldos me klubin saudit Al Nassr ka ngritur pikëpyetje. “Është më shumë sesa një takim. Ne nderojmë Arabinë Saudite dhe princin e saj të kurorës”, deklaroi Trump të premten, duke iu referuar vizitës së Salman.

Dëshira e Ronaldos për të takuar presidentin amerikan u zbulua gjatë një interviste me gazetarin britanik Piers Morgan, një mik i vjetër i Trump që prej kohës kur Morgan fitoi edicionin e vitit 2008 të “Celebrity Apprentice”. Gjatë intervistës, Morgan përmendi një fanellë të nënshkruar nga Ronaldo që ia kishte dhuruar Trumpit, e cila mbante mesazhin: “Presidenti Donald J. Trump luan për paqen.”

I pyetur për këtë, Ronaldo tha: “Nëse bota është në paqe, ky është qëllimi ynë. Ai është një nga njerëzit që mund ta ndryshojë ose të ndihmojë në ndryshimin e botës. Dhe ky është qëllimi im kryesor: të takohem me Trumpin dhe të flasim për paqen botërore. Nëse mund ta bëni të ndodhë, ai është dikush me të cilin do të doja shumë të ulesha.”. Vizita e sotme pritet të tërheqë vëmendje të madhe mediatike, duke pasur parasysh rolin ndërkombëtar të të dy figurave dhe ndikimin global të Kupës së Botës që po afrohet.