Ballina Dossier Enver Hoxha për Kosovën – sipas dokumenteve ruse

Enver Hoxha për Kosovën – sipas dokumenteve ruse

69
0

Nga Shaqir Vukaj

Ish-Ambasador i Shqipërisë në Rusi

Para disa kohësh gazeta Panorama botoi një shkrim të Pr.Dr.Elmas Lecit për një letër që Enver Hoxha i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë Komuniste ( Bolshevike ) të Bashkimit Sovjetik në gusht të vitit 1949,  për problemin e Kosovës.

Gjatë viteve 1998-2002 që kam punuar në Rusi në detyrën e ambasadorit, kam ndjekur rregullisht qëndrimin e Rusisë ndaj zhvillimeve në Kosovë, veçanërisht gjatë luftës për çlirimin e saj (kam shkruar dhe një libër, “Rusia dhe Kosova”) temë që vazhdon të më tërheqë edhe tani, në pension. Prandaj e lexova me vëmendje  shkrimin ku më bënë  përshtypje të veçantë manipulimet, shtrembërimet e akuzat e autorit, që me çdo kusht kërkon të vërtetojë se Enver Hoxha  e ka shitur Kosovën…..

Me që autori shkruante në cilësinë e Drejtorit të Institutit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pyeta një mikun tim, historian ushtarak, se ç’është ky Institut, me se merret etj. dhe kush është drejtori i tij, ky Profesor Doktori. Ai duke qeshur më tha ai është ai Elmasi që ka qenë kryeredaktor i gazetës “Ushtria dhe Koha” kur ke qenë Ministër Mbrojtje….Duke folur për ketë gazetë e ngjarjet e v.1997, ai më kujtoi një letër që n/kolonel Agim Rexhmataj i drejtonte Elmasit, ku shkruante se ai dhe shokët e tij “nuk e lexonin atë gazetë, sepse shkrimet kanë  “nivel tepër të ultë gazetaresk”, se ai dallohet “për servilizëm të shfrenuar”, se me shkrimet e tij “ai ka sjellë urrejtjen e ushtarakëve të liruar e të dalë në pension”, se “është mjeshtër i dyfytyrësisë”, se “jepte përshtypjen e grave të pispillosura” etj. Ai, vazhdoi miku im, shkruan e shpif gjëra nga më të pabesueshmet, që nuk i shkojnë në mend askujt. Mos u merr më të se nuk ja vlen, më tha miku im, sepse kështu është mësuar ai gjithë jetën. Para viteve 90-të, si gazetar në organet  e Ushtrisë, ai nuk linte shkrim pa lëvduar e çuar në qiell Enver Hoxhën….

Duke qenë se disa herë është thënë e shkruar se Enver Hoxha e ka shitur Kosovën, pa marrë përsipër ta mbroj apo të bëj një analizë të plotë të këtij problemi dhe pa dashur të hyjë në polemika të kota, do të përpiqem që nëpërmjet dokumenteve ruse të paraqes qëndrimin e Enver Hoxhës për Kosovën, si e kanë vlerësuar rusët ….duke ju referuar dokumenteve mbi marredheniet shqiptaro-jugosllave, shqiptaro-sovjetike, jugosllavo-sovjetike pas Luftës Dytë Botërore, deri në prishjen e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, sepse problemi i Kosovës dhe qëndrimi i Enver Hoxhës ka zënë një vend të dukshëm në trekëndëshin Moskë-Tiranë-Beograd….

Për më tepër sepse Moska kanë qenë dhe është tepër e interesuar për problemin e Kosovës, aq sa, në një emision të televizionit rus ”Rossija 24”, në shtator të vitit 2011, thuhej: “Në Rusi flitet e shkruhet më shumë se kudo në botë për Serbinë e Kosovën”. Aq e vërtetë është kjo, sa me dhjetëra librat e qindra artikujt e studimet që janë botuar në Rusi për Kosovën e problemet që lidhen me të,  mund të krijohet një bibliotekë e tërë. Me problemin e Kosovës janë marrë Sekretarët e Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (Stalini e Hrushovi), Presidentë (Jelcini e Putini), Kryeministra (Rizhkovi, Çernomërdini, Primakovi, Stepashini etj.), ministra të Jashtëm (Molotovi, Primakovi, Llavrovi ) deputetë,  gjeneralë, historianë, gazetarë, analistë  etj.

Që në krye dua të theksoj se udhëheqjet sovjetike, e më vonë ato ruse, duke filluar që me atë të epokës së Stalinit e më vonë të Hrushovit e veçanërisht të Jelcinit e Putinit, deri në ditët e sotme, të gjitha, pa përjashtim, kanë qenë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e vitet e fundit, kundër pavarësisë së saj e shpalljes shtet i pavarur, duke e quajtur Kosovën, Serbi, njëlloj si Beogradi…Siç shkruante studiuesi i njohur i problemeve ballkanike, Pr.Dr.Zadohin në librin “Porohovoj pogreb Evropi” (“Fuçia e barotit e Europës”) Moskë 2000.

“Në qoftë se flasim për çështjen shqiptare dhe problemin e Kosovës, ato për një kohë të gjatë kanë pasur rendësi të ndërvarur në politikën ballkanike të Rusisë…” dhe më poshtë: “Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër pro serb” (fq. 385)

Historikisht, kur ka qenë fjala për fatin e shqiptarëve e shtetin e tyre, Rusia ka mbështetur sllavët në kurriz të shqiptarëve. Ajo ka qenë më aktivja për dhënien sllavëve, tokat shqiptare me popullsi shqiptare (Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës etj.).

Fatkeqësisht nuk ishte vetëm Rusia. Ajo, bashkë me Fuqitë e Mëdha vendosën dhe e copëtuan Shqipërinë dhe ja dhanë Serbisë e Malit të Zi, Kosovën e  tokat tjera shqiptare…Ishin pikërisht Fuqitë e Mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e Madhe, që, ende pa përfunduar Lufta e Dytë Botërore vendosën që Jugosllavia të kthehej në kufijtë e para Luftës Dytë Botërore, pra që Kosova dhe tokat tjera shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi, të mbeteshin brenda kufijve të Jugosllavisë ( “Konferencat e “Treshes së Madhe” – Teheran, Jaltë, Potsdam”. Tiranë 2019).

Ngjarjet e Kosovës e veçanërisht dalja e UÇK-së në skenë, lufta e saj, sidomos bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë, bënë që Rusia të dilte hapur në mbrojtje të politikës së Millosheviçit, sollën aktivizim të jashtëzakonshëm të të gjitha strukturave shtetërore, ushtarake, shkencore etj. në mbështetje të Beogradit. Në kuadrin e demokratizimit të jetës në Rusi, kishte filluar publikimi i disa materialeve sekret të epokës sovjetike, por në fund të viteve 90-të u botuan shumë dokumente sekrete,   përfshijë disa  që lidheshin me Kosovën….

Pikërisht në këtë periudhë, mbas daljes së UÇK-së në skenë, krahas shumë dokumenteve të tjera, që flasin për marredheniet shqiptaro-jugosllave, u botua dhe letra e Enver Hoxhës drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (b) të Bashkimit Sovjetik, në librin voluminoz “Vostoçnaja Evropa v Dokumentar Rossijskih Arhivah 1944-1953” (“Europa Lindore në Dokumentet e Arkivave ruse 1944-1953”) v. 1998, (Fq. 206). Letra, “sekret” është vlerësuar si tepër  e rëndësishme, sa me urdhër të Stalinit u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste. (Dua të vë në dukje se për herë të parë këtë letër e kam gjetur sapo kisha shkuar në Moskë, për të cilën shkurtimisht kam njoftuar Tiranën. Më vonë, këtë letër, ja kam dhënë mikut tim, z.Ymer Minxhozi, i cili e ka botuar në një libërth të veçantë).

Elmas Leci, në shkrimin e tij për këtë letër ka vetëm një qëllim, të vërtetojë se Enver Hoxha e ka shitur Kosovën, kur në të vërtetë, kjo letër flet krejtësisht për të kundërtën, çka e kanë pranuar edhe shumë politikanë e studiues rusë, kundërshtarë e kritikë të ashpër të politikës së Enver Hoxhës. Që në fillim të shkrimit ai deformon ato që shkruan Enveri për pakicën shqiptare në Kosovë. Ai, ose nuk i njeh këto probleme ose kërkon të manipulojë me termin minoritet, që sipas tij, Enveri, duke i quajtur kosovarët minoritet, paska dashur të minimizojë numrin e shqiptarëve atje dhe ti paraqesë ata si të ardhur në Kosovë (Tezë e njohur dhe e përhapur gjerësisht në Serbi dhe përsëritur shumë herë në Rusi, që ai e përdorë njëlloj si ata për të goditur Enver Hoxhën…). Dua të vë në dukje se në gjuhën ruse përdoret fjala menshistvo, që do të thotë pakicë, dhe kur është përkthyer letra nga gjuha italiane (në origjinal letra e firmosur nga Enver Hoxha është në gjuhën italiane, fjala minoritet është përkthyer pakicë…). Enveri në letrën e tij përcakton qartë se shqiptarët në Kosovë nuk janë pakicë, por janë rreth 700 mijë vetë ose më shumë, ndërsa në Jugosllavi rreth një milion, madje më poshtë shkruan që kosovarët dhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në Jugosllavi janë “shkëputur me dhunë nga Shqipëria”. (Për saktësi ka disa lloj pakicash, pakicë kombëtare, pakicë kombëtare autoktone, pakicë kulturore, pakicë gjuhësore, pakicë religjioze etj.). Është më se e qartë që në rastin e Kosovës, siç e kanë pranuar dhe studiues rusë, Enveri me fjalën pakicë për shqiptarët, kishte parasysh pakicë kombëtare autoktone shqiptare. Për sqarim të lexuesit, pakica kombëtare autoktone që jetojnë në tokat e tyre ka në disa vende edhe sot e kësaj dite, që në kuadrin e përcaktimit të kufijve shtetëror, janë përfshirë brenda një shteti tjetër….

Dua të vë në dukje një fakt interesant. Në Konferencat e Tre të Mëdhenjve, është diskutuar shumë herë shpërngulja e pakicave kombëtare, jo autoktone, dhe në konferencën e Potsdamit është vendosur që gjermanët e vendosur gjatë shekujve në Çekosllovaki, Poloni etj. të dëbohen nga këto vende dhe në zbatim të këtij vendimi, janë shpërngulur drejt Gjermanisë rreth 10-11 milionë gjermanë….(“Konferencat e Treshes së Madhe” (Tiranë 2019)

Pa dashur të analizoj shtrembërimet e manipulimet që ai bën për të vërtetuar “shitjen e Kosovës” nga Enver hoxha, dua të vë në dukje se shumë politikanë, studiues e historianë rusë të viteve të fundit, i janë referuar kësaj letre, ndërmjet tjerave për të argumentuar përpjekjet e vazhdueshme të “nacional komunistit Enver Hoxha për të nxitur shqiptarët e Jugosllavisë për të kundërshtuar politikën e Beogradit”. (N.Vasiljevna, V.Gavrilloviç “Ballkanski Tupik” Moskë 2000 Fq.254). Madje në shumë raste, ata, duke ju referuar kësaj letre, e kanë akuzuar “Enver Hoxhën si nacionalist i veshur me frazeologji komuniste e internacionaliste, që për interes të bashkimit të Kosovës e Metohisë me Shqipërinë ishte gati ti vinte zjarrin Ballkanit”.

Historiania e shquar ruse, Pr.Dr. Nina Smirnova, historiania më aktive dhe ndër të radhët në Rusi që ka mbrojtur çështjen e Kosovës, duke ju kundërvënë me fakte e dokumente gjithë atij vreri antishqiptar që kishte shpërthyer në atë kohë Rusi, i ka bërë të njohur  publikut rus të vërtetat, kërkesat e luftën e drejtë të kosovarëve kundër regjimit të Millosheviçit. Me dhjetëra janë artikujt, intervistat e librat e saj në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Lidhur me letrën e Enver Hoxhës dhe në përgjithësi për qëndrimin e tij ndaj çështjes së Kosovës ajo ka thënë:

“Unë nuk e kam dashur Enver Hoxhën, dhe këtë e kam shprehur në disa materiale, duke shkruar kundër politikes së tij diktatoriale, kundër metodave staliniste që ai përdori për dyzet vjet etj. Nuk e kuptoj përse disa politikanë e studiues në Shqipëri e sulmojnë aq shumë për qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Kanë fusha të tjera ku mund ta shajnë e kritikojnë, por këtu nuk kanë të drejtë, madje siç bëjnë disa, që arrijnë deri aty sa të shkruajnë se “Kosovën e kishte të bashkuar me Shqipërinë dhe Enver Hoxha ja la Jugosllavisë”. Këta, qofshin profesorë a çfarëdo qofshin në Shqipëri, janë sharlatanë në shkencë e sahanlëpirës në politikë”.

Unë them me bindje se ai e ka dashur Kosovën dhe është përpjekur për të, sigurisht siç e kuptonte ai, në kushtet e rrethanat e asaj kohe. Enver Hoxha ka qenë një komunist nacionalist që për hir të Kosovës ai ishte gati ti vinte flakën Jugosllavisë e më gjerë. Letra e tij drejtuar Stalinit në vitin 1949 është dëshmia më e qartë për qëndrimin e tij ndaj  Kosovës. Por ka edhe materiale tjera të pabotuara që e vërtetojnë më së miri këtë…. Sot, a në Rusi ai kritikohet kaq shumë, krahas tjerave për nacionalizmin e tij, sa këtu disa arrijnë sa ta quajnë Enverin shkaktarin kryesor të prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, e kjo kryesisht për ambiciet e tij për Kosovën e tokat e tjera shqiptare në Jugosllavi”  (“Rusia dhe Kosova”. Tiranë 2007 Fq.597).

Interesant është pohimi i  Drejtorit të Institutit të Sllavjanistikës, Pr.Dr. Vollkov i cli, në librin e tij “Problemet kryesore të historisë se vendeve të Europës Juglindore dhe Qendrore” (V.K.Vollkov “Uzllovnie problemi novejshej istorii stran Centralnoj i Jugovostoçnoj Evropi” Moskë 2000  Fq. 189), duke folur për prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik  shkruan:

“Në themel të kësaj prishjeje qëndronte problemi i marrëdhënieve me Jugosllavinë, ndaj së cilës udhëheqja shqiptare ushqente një urrejtje të thellë, që lidhej në radhë të parë me moszgjidhjen e problemit nacional ( problemit të Kosovës)”.

Në Rusi ka dominuar mendimi se Kosova është Serbi. Pa përsëritur vendimet e Konferencave Ndërkombëtare, ku Rusia ka luajtur rol tepër të rëndësishëm për dhënien e tokave shqiptare Serbisë e Malit të zi., do përmend një fakt pak të njohur. Para përfundimit të Luftës Dytë Botërore, udhëheqja sovjetike është interesuar për Kosovën e tokat shqiptare në Jugosllavi. Në janar të vitit 1942, në Moskë ishte krijuar një komision i posaçëm për problemet e ndërtimit të botës së pas luftës, e në këtë kuadër të Ballkanit, titlluar “Ndërtimi i Ballkanit mbas lufte (Jugosllavi, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri) “ një kopje e të cilit gjendet në Arkivin e Ministrisë Jashtme të Rusisë. (Të Merremi me Përgatitjen e të Ardhmes së botës. Istoçnik 1995. Nr.4 Fq. 122, 131). Sipas këtij materiali, mbas lufte, Jugosllavisë duhet ti kthehen të gjitha territoret e dhëna vendeve tjera, në ketë kuadër edhe Kosova e territoret tjera shqiptare. (Po aty Fq.131,138).

Po ashtu në kuadrin e krijimit të Federatës Ballkanike, problem me të cilin Kominterni e Moska merreshin prej kohësh, ajo ishte njohur me çështjen shqiptare si një problem i pa zgjidhur…. Por kryesorja që e ka detyruar Moskën të merret me Kosovën ka qenë interesimi për marredheniet jugosllavo-shqiptare. Sipas dokumenteve ruse, që gjatë luftës ata kanë qenë të informuar për “Shkëmbimin e ashpër të letrave midis Enver Hoxhës nga njëra anë dhe Titos e Vukmanoviç Tempos, por nga ana tjetër, si dhe të dy palët kishin rënë dakord që ky problem të mos ngrihej deri në përfundim të Luftës dhe mandej të zgjidhej ky problem” (“Vostoçnaja Evropa v Rossijskih Dokumentah” 1944-1948. Moskva 1998. Fq.475,477, 478).

Duke analizuar marredheniet midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe asaj Jugosllave gjatë Luftës Dytë Botërore Pr.Dr.Nina Smirnova shkruan për kërkesën e Partisë Komuniste Shqiptare bërë asaj Jugosllave, që Organizata e Partisë Komuniste e Kosovës dhe njësitë partizane të saj të bashkoheshin me ato të Shqipërisë, që nuk u pranuan nga Tito…Duke analizuar Konferencën e Bujanit e vendimet e saj ajo shkruan “ato ishin konkluzion logjik, ku përfaqësues të shqiptarëve dhe pakicave serbe dhe malazeze, që jetonin në Kosovë, shpreheshin për bashkimin me Shqipërinë, duke realizuar kështu aspiratat e shqiptarëve” (“Kosovo Mezhdunarodnie Aspekti Krizisa”. Moskva 1999. Fq.84). Nw mbledhjen e organizuar mw 13 dhjetor 2013, me rastin e 70 vjetorit Konferencës së Bujanit, Kryetari Parlamentit tw Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se “Konferenca e Bujanit u organizua nga Lëvizjet Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Shqipërisë”, kur dihet se në krye të Lëvizjes Nacional Çlirimtare  Shqiptare ishte Enver Hoxha….Sipas një raporti të Sigurimit të Shtetit të Serbisë “Fadili (Hoxha) ishte marrë vesh me Enverin për Konferencën e Bujanit dhe Rezolucionin e saj” (Gazeta Panorama “Për gjithçka ndodhte Fadili njoftonte Enver Hoxhën duke u ankuar…”.  dt.3.11.2025)

Pavarësisht nga naiviteti i Enver Hoxhës që atëherë besonte aq shumë në komunizmin dhe internacionalizmin, ai kishte pranuar që problemi i Kosovës të diskutohej mbas Lufte, siç kishin premtuar jugosllavët. Megjithëse Treshja e Madhe (Ruzvelti, Stalini, Çerçilli) kishte vendosur që Jugosllavia të kthehej në kufijtë e para Luftës, e Kosova të mbetej brenda Jugosllavisë, menjëherë mbas lufte, në takimin zyrtar me Titon, Enver Hoxha ka ngritur problemin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë….Por para kësaj, në prag të vizitës së Titos në Moskë, në prill të v.1946, në takimin me ambasadorin Sovjetik në Beograd Llavrentiev, ai i kishte shprehur aq haptazi pretendimet ndaj Shqipërisë, sa që ambasadori  i shkruante Moskës se: “nga biseda me Titon, kuptohej se sipas tij, në fund të fundit, Shqipëria duhej të përfshihej në përbërjen e Jugosllavisë” (“Sovjetskij Faktor v Vostoçnoj Evrope 1944-1953”. Moskva 1999. Dokument  Nr.93  Fq.280-281)

Pavarësisht se Moska e kishte lenë Shqipërinë nën sqetullat e Jugosllavisë, Tito para vizitës në Moskë, kërkonte të përgatiste terrenin për të marrë aprovimin e saj që Shqipëria të përfshihej në përbërje të Jugosllavisë. Siç del nga biseda e Koço Tashkos, ambasadori i parë shqiptar në Moskë, me ministrin e Jashtëm të Bashkimit Soivjetik, Molotov, Moska kërkonte të dinte sa më shumë për Shqipërinë e marredheniet e saj me vendet tjera (Vostoçnaja Evropa….Fq.145, 422). Nga dokumentet ruse shihet se mbas vizitës së Titos në Moskë dhe veçanërisht mbas vizitës së Enverit në Beograd (3 qershor-2 korrik 1946), Moska e rriti shumë interesimin për Shqipërinë dhe filloi ti trajtonte më seriozisht marredheniet shqiptaro-jugosllave. Dhe kjo, krahas tjerave, sepse kërkesa e drejtpërdrejt që Enver Hoxhës i kishte bërë Titos për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, kishte bërë përshtypje të veçantë dhe kishte  tërhequr vëmendjen e Moskës, si një problem tepër i rëndësishëm e delikat midis dy vendeve. Fakti që ka shumë dokumente ruse të botuara (e të pa botuara – siç më kanë thënë historianë e studiues rusë….) rreth problemit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, vërteton angazhimin Moskës për këtë problem.

Kështu, mbas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, ambasadori sovjetik Çuvahin në Tiranë njoftonte Moskën për takimin me Enverin, nëpërmjet një materiali të gjatë, me shënimin “Tepër sekret” ku problemi i Kosovës zë një vend të veçantë. Ai i raportonte Moskës, se Enver Hoxha i ka shprehur Titos pikëpamjen e tij për problemin e të ardhmes së Kosovës dhe Metohisë. Ndërmjet tjerave ai shkruan: “Ai (Enver Hoxha) është i mendimit se kjo krahinë e  banuar nga shumica shqiptare, pa diskutim duhet që në kohën e vet, ti kthehet Shqipërisë, por kjo do të bëhet e mundshme kur, si Shqipëria ashtu dhe Jugosllavia të bëhen shtete socialiste. Enver Hoxha theksoi se i është përmbajtur kësaj pikëpamje gjatë gjithë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe se për këtë problem, ky ka qenë pozicioni i gjithë udhëheqjes së Partisë Komuniste Shqiptare. Por njëkohësisht, Enver Hoxha është i mendimit se problemi i Kosovës dhe Metohisë duhet të reflektohet edhe në Traktatin e Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë….Njëkohësisht Tito e konsideron të domosdoshme që të merren të gjitha masat për afrimin e popullsisë së Kosovë Metohisë me popullsinë e Shqipërisë dhe se një prej këtyre masave mund të ishte hapja e kufirit shqiptaro-jugosllav dhe heqja e taksave doganore në këtë pjesë të kufirit. Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, për problemin e shtruar nga Mareshali Tito për hapjen e kufirit shqiptaro-jugosllav në rajonin e Kosovës dhe Metohisë, ai (Enveri) i ishte përgjigjur se ky problem kërkon studim të veçantë dhe se këtij problemi mund ti kthehemi më vonë” (Vostoçnaja Evropa…..Fq.476-477).

Duke dashur të verifikojë fjalët e Enver Hoxhës, ambasadori Çuvahin takoi ambasadorin Jugosllav në Tiranë, J.Gjergja,  që kishte marrë pjesë në takimin Tito-Enver, (në cilësinë e përkthyesit). Nga biseda e Gjergjës kuptohet se ai (Gjergja) nuk kishte mbetur i kënaqur nga kërkesa e Enverit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë…. Unë – shkruan Çuvahini – nuk hyra në diskutim me ambasadorin jugosllav për këtë problem tepër delikat për të dyja palët. Pikëpamja e tij duhet pas parasysh sepse shpreh pikëpamjen e qarqeve të caktuara në Jugosllavi, që rajonet e Kosovës dhe Metohisë i konsiderojnë si “toka të shenjta” jugosllave dhe se shqiptarët nuk kanë arsye të forta për pretendimet ndaj këtyre rajoneve” (Vostoçnaja Evropa…Dokument 106 Fq.315).

Në shumë botime të viteve të fundit në Rusi, është pranuar se gjatë takimit Tito-Hoxha në Beograd në vitin 1946, Tito, mbas kërkesës së Enver Hoxhës, ka pranuar se “Kjo krahinë e banuar në shumicë nga shqiptarë, në kohën e vet do të bashkohet me Shqipërinë” (N.D.Smirnova “Istoriçeskie Korni Kosovskovo Konflikta” RAN, 1997). Ish Kryeministri Bashkimit Sovjetik, I.Rizhkov, në librin e tij “Golgotaja jugosllave” botuar në v.2000, shkruan se “J.B.Tito ishte gati ti jepte Shqipërisë Kosovën, në mënyrë që të realizonte idenë e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë”.

Kërkesa e hapur e Enver Hoxhës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ka bërë që në jugosllavi të përpunoheshin lloj lloj variantesh për ti mbyllur gojën Tiranës…Duke analizuar problemin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Pr.Dr.Smirnova shkruan se “Pikërisht problemi i Kosovës, dëshira e shqiptarëve dhe kërkesa e Enver Hoxhës, për tu bashkuar me Shqipërinë i ka detyruar ideologët jugosllavë të asaj kohe Eduard Kardel dhe Mosha Piade të arrijnë në përfundimin se problemi i Kosovës mund të zgjidhet nëpërmjet krijimit të lidhjeve federative midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë”.

Nga dokumentet ruse të botuara vitet fundit, rezulton se mbas vizitës së Enver Hoxhës në Beograd dhe kërkesës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Moska e personalisht Stalini, kishte filluar të ndryshonte qëndrim ndaj marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi dhe tashmë  “nuk ishin për nxitjen e ambicieve jugosllave ndaj Shqipërisë” (Ballkanski Tupik…Moskva  2000. Fq.218). Kjo  inkurajoi Enver Hoxhën të rriste ankesat tek sovjetikët për problemet, mosmarrëveshjet e qëndrimet antishqiptare të jugosllavëve, siç ndodhi  më 3 maj 1947, kur ai takoi ambasadorin sovjetik në Tirranë, të cilit i foli haptazi për këto probleme…Për herë të parë Enver Hoxha ka shkuar në Moskë për vizitë zyrtare, në korrik 1947 dhe para takimit me Stalinin, në takimin me ministrin e Jashtëm Molotov, i ka folur hapur atij për disa veprime antishqiptare të jugosllavëve (“Vostoçnaja Evropa…” Dokumenti Nr.229 Fq.679).

Tërheqë vëmendjen një fakt tepër interesant, lidhur me kërkesën e Enverit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me qenë se në marredheniet sovjeto-jugosllave kishin lindur probleme e  mosmarrëveshje, për të sqaruar këto probleme, në prill të vitit 1947, me kërkesë të Stalinit shkoi në Moskë një delegacion jugosllav i nivelit të lartë, i kryesuar nga Eduard Kardeli, që njihej si figura e dytë mbas Titos. Sipas regjistrimit të takimit, botuar në gazetën e Beogradit “BORBA”, dt. 12-13 gusht 1989, gjatë këtij takimi, Shqipëria dhe Kosova e bashkimi saj me Shqipërinë kanë zënë vend të dukshëm….  Në qoftë se Tito, në takimin me Enver Hoxhën ka pranuar me diplomaci bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Eduard Kardeli i ka pohuar Stalinit se :

“Në territorin e Kosovës e Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë se sa serbë. Ne mendojmë që më vonë, kur të vendosim lidhje edhe më të ngushta me shqiptarët, këto territore t’jua a japim atyre”.

Është interesant fakti se po atë ditë, Enver Hoxha  i ankohej ambasadorit Çuvahin për jugosllavët ku i shprehej hapur se “ne duam që ata të sillen me ne si me një vend të pavarur” (Sovjetski Faktor v Vostoçnoj Evrope…….Fq.437).

Nga ana e tij edhe Tito, në takimin e 14 gushtit 1947, i ankohej ambasadorit sovjetik në Beograd Llavrentiev për sjelljen antijugosllave të Enver Hoxhës, veçanërisht mbas takimit të Enverit me Stalinin dhe telegramin “Tepër Sekret” për Moskën që ai e titullonte: “Regjistrimi i bisedës me J.B.Titon mbi mosmarrëveshjet shqiptaro-jugosllave”. Tito indirekt i kërkonte sovjetikëve që të shmanget Enver Hoxha dhe të zëvendësohet me Koçi Xoxen. Ambasadori shkruan: “Tito nuk mendon se Enver hoxha është hipokrit, por përshtypja e tij është se ai mund të bjerë lehtë nën ndikime të ndryshme. Tito vlerëson si udhëheqësin më të fuqishëm dhe konsekuent Xoxen”  (Vostoçnaja Evropa …..Dokument Nr.234  Fq.689).

Gjatë këtyre muajve, deri në prishjen zyrtare të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave në mars 1948, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në polemikat e takimet sovjeto-jugosllave, ku secila palë, për interesat e veta, përpiqej ta mbante Shqipërinë mbas vetes …Tepër interesant është pohimi i Stalinit në takimin me delegacionin e nivelit të lartë jugosllav, kryesuar nga Millovan Gjilas, ku Stalini ka thënë: “Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë”. Shumë njerëz në Shqipëri e kanë kuptuar sikur me të vërtetë ai mendonte ashtu. Studiuesit rusë që janë marrë me këtë problem (që e kanë njohur mirë Stalinin për ironinë e sarkazmat e tij) kanë shkruar se ky ishte provokacion që Stalini u bënte jugosllavëve, sepse në të vërtetë ai mendonte ndryshe. (Ballkanski Tupik…Fq.228).

Ndërsa vetë Gjilasi në një intervistë që i ka dhënë “Zërit të Kosovës” më 9 shkurt 1991 ka thënë se: “Në takimin e parë me mua Stalini tha se Jugosllavia duhet të gëlltisë Shqipërinë, por unë mendoj se ai nuk mendonte ashtu, por dëshironte të shihte reagimet e mija…”

Mbas prishjes përfundimtare të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave e shqiptaro-jugosllave, që shumë shpejt u kthye në armiqësi të hapur, Enver Hoxha e udhëheqja shqiptare, duke parë qëndrimin e ashpër të Moskës kundër Beogradit, kërkonin ta shfrytëzonin dhe me naivitet mendonin se kishte ardhur momenti i duhur për të arritur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, qoftë edhe me forcë….dhe për këtë do të kishin përkrahjen, ndihmën e angazhimin e Moskës…

Sipas një raporti “Sekret” të Ambasadorit sovjetik Çuvahin,  dt.5 korrik 1949, ai me iniciativën e tij, takoi Mehmet Shehun. Ndërmjet tjerave, ai e pyeti Mehmetin për Komitetin e Çlirimit të Kosovës për të cilin kishte dëgjuar nga Enver Hoxha. Mehmet Shehu e kishte shtjelluar gjatë këtë temë, duke dashur të dëgjojë dhe mendimin e ambasadorit (dhe kuptohet të Moskës). “Nuk e dimë – i kishte thënë Mehmeti, si duhet të organizohet lufta kundër titistëve, në çdo republikë veçmas, kështu edhe në krahinën Autonome të Kosovë Metohisë, apo kjo luftë do të drejtohet nga një qendër e vetme. Për mua i kish thënë Mehmeti – ky problem është krejtësisht i qartë se klika e Titos mund të përmbyset vetëm nëpërmjet luftës së armatosur kundër saj dhe se kjo luftë duhet të fillojë në Kosovë Metohi, ku më lehtë se kudo mund të ngresh popullsinë në kryengritje kundër klikës së Titos”

Ambasadori, siç duket i udhëzuar nga Moska, i ishte përgjigjur se “ky është një problem i madh, i komplikuar dhe se çdo hap i pakujdesshëm i bërë nga shokët shqiptarë mund të dëmtojë çështjen e përbashkët kundër klikës trockiste të Titos” ( Vostoçnaja Evropa…Fq.162-163).

Përgjigja e ambasadorit, nuk e kënaqte dhe as nuk e bindte Enver Hoxhën, prandaj ai në fund të gushtit 1949 i është drejtuar zyrtarisht KQPK (b) të Bashkimit Sovjetik me një letër rreth 10 faqe…Thelbi i letrës është që të fillojë lufta në Jugosllavi për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë….

Stalini nuk e përkrahu këtë iniciativë të Enver Hoxhës dhe rekomandoi “Të mos ngutej sepse parulla e shkëputjes së Kosovë e Metohisë nga Jugosllavia nuk do të gjente mbështetje tek popujt e tjerë  jugosllavë, dhe se fati i pakicës shqiptare mund të zgjidhet vetëm mbas rrëzimit të diktaturës së nacionalistëve jugosllavë” (“Konflikti v Kosovo kak çast allbanskovo voprosa” Fq.86).

Është folur e shkruar shumë herë për përgatitjet e bëra nga B.Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut komunist për një sulm të mundshëm kundër Jugosllavisë. Sipas dokumenteve të publikuara vitet e fundit, Stalini jo vetëm që nuk ka pas një plan të tillë, por ai është përpjekur për ruajtjen e status- kuosë në Ballkan dhe Europën Jug-Lindore. Për të vërtetuar këtë, shumë studiues përmendin dhe letrën e Enver hoxhës, si argument, se Stalini ishte kundër luftës në Jugosllavi, duke shpërfillur këtë letër….

Mbas ardhjes në pushtet të Hrushovit, pavarësisht normalizimit të marrëdhënieve tw Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë, siç pohon vetë Hrushovi në kujtimet e tij, “problemi i shqiptarëve të Jugosllavisë është ngritur disa herë nga Enver hoxha”. Hrushovi shkruan se edhe Tito i ka pohuar atij se “në Jugosllavi jetojnë më shumë shqiptarë se në Shqipëri”, (N.S.Hrushov “Vospominanija.  Izbranie Fragmenti. Moskva 1997. Fq. 315,319.) çka tregon se Enver hoxha e udhëheqja shqiptare, pavarësisht kundërshtimeve dhe qëndrimit pro jugosllav të udhëheqjes sovjetike, në forma të ndryshme e kanë ngritur problemin e Kosovë/ Dita