Ballina Opinion “Grushti i Spiropalit si Grushti i Idealit”

“Grushti i Spiropalit si Grushti i Idealit”

42
0

Nga Klevis Bakillari

Në gjuhën e politikës, gjestet nuk janë të pafajshme,as detaj estetik. Janë sinjale. Të koduara.

Grushti i Spiropalit; një gjest që lexon dy realitete njëkohësisht: idealin e shpallur dhe rivalitetin e pashprehur.

Në planin e parë, është grushti i idealit europian, i një narrative të konsoliduar prej vitesh në PS: Shqipëria në BE,si detyrimi historik i brezit aktual të politikëbërjes. Spiropali,figura më e zëshme në komunikimin e kësaj narrative, e përfaqëson këtë ideal me një vendosmëri që shpesh e vendos në rolin e artikulueses kryesore të linjës së partisë.
klevis bakellari, grushti spiropalit, grushti idealit,
Në kontekstin më të brendshëm, më të heshtur dhe më të ashpër: dinamika e fuqisë brenda PS-së, ku gara nuk është e deklaruar, por ekzistuese; ku pozicionimi është i vazhdueshëm; ku figurat ndërtojnë profilin e tyre përmes gjesteve të vogla po aq sa përmes lëvizjeve të mëdha.

Në këtë terren, grushti i Spiropalit është një deklaratë pozicionimi.
Ai artikulon një qëndrueshmëri që vjen si kundërpeshë ndaj fragmentimit të natyrshëm të çdo partie të madhe në pushtet. Brenda PS-së ekzistojnë rryma, preferenca, grupe ndikimi.Realitet i zakonshëm për çdo forcë politike që qëndron gjatë në qeverisje. Në këtë sfond, Spiropali ka zgjedhur të ndërtojë profilin jo përmes manovrave të fshehta, por përmes koherencës së vazhdueshme.

Kjo e bën atë, jo rrallë, objekt rivalitetesh të heshtura.
Konkurrenca për zë, për hapësirë dhe për rol është e pandalshme, ndaj qartësia e profilit është armë, por edhe shënjestër.

Pikërisht këtu, fotografia merr dimensionin e dytë të saj:
grushti si simbol i një qëndrimi ndaj presionit të brendshëm, i një karriere që nuk ka kaluar pa tension, por edhe pa kapacitet për t’i mbijetuar presionit. Në PS, ku figurat politike shpesh duhet të demonstrojnë besueshmëri në çdo cikël, Spiropali ka arritur të mbetet pjesë e pandryshueshme e konfigurimit të brendshëm. Kjo shenjë force nuk përftohet rastësisht.

Grushti i saj vertikal nuk është as sfidë dhe as sfidim.
Është një sinjal i disiplinës politike, i aftësisë për t’u pozicionuar në vijën e duhur pa humbur individualitetin. Një sinjal se ajo mbetet një figurë me potencial të hapur në arkitekturën e së sotmes dhe të së nesërmes së PS-së.

Në një parti ku e ardhmja politike varet nga ekuilibra të ndjeshëm mes besnikërisë dhe ambicies, fotografia e Spiropalit përmbledh një mesazh të ftohtë:
forca e saj nuk vjen nga lëvizjet e fshehta, por nga konsistenca e dukshme.

Kjo e bën grushtin e saj një grusht ideali, por edhe një grusht pozicionimi.
Një akt i thjeshtë në pamje, por i ngarkuar në funksion.