Qeveria e Zelandës së Re ka vendosur një objektiv radikal që deri në vitin 2050 të mos ketë më asnjë mace endacake apo të egër që jeton në natyrë. Qëllimi është mbrojtja e biodiversitetit unik të vendit, siç njoftoi ministri i Mbrojtjes së Mjedisit, Tama Potaka.
Në një deklaratë zyrtare, Potaka bëri të ditur se macet e egra tani hyjnë zyrtarisht në programin ambicioz Predator-Free 2050, strategjia botërisht e famshme e Zelandës së Re për zhdukjen e plotë të grabitqarëve të huaj invazivë. Plani fillestar u hartua një dekadë më parë dhe kishte shkaktuar protesta të forta nga mbrojtësit e kafshëve.
Aktualisht, në disa zona macet e egra kapen dhe izolohen , por tani do të ketë një fushatë shumë më të koordinuar dhe mbarëkombëtare, raporton The Guardian.
Në Zelandën e Re llogaritet të jetojnë më shumë se 2.5 milionë mace endacake. Këto mace mund të arrijnë deri në një metër gjatësi (bashkë me bishtin) dhe deri në 7 kg peshë. Ato konsiderohen ‘vrasëse të ftohta’ dhe kanë shkatërruar plotësisht jetën e egër në shumë zona, duke çuar disa specie vendase në prag të zhdukjes.
“Macja do të trajtohet njësoj si kunadhja, nuselala, miu apo posumi – është një grabitqar vdekjeprurës”, tha ministri Potaka.
Macja shtëpiake (që ka pronar) nuk përfshihet në programin e zhdukjes, por edhe ato konsiderohen kërcënim i madh për shpendët dhe speciet vendase.
Ky vendim ka ndezur debate të forta në një vend që i do shumë macet: Zelanda e Re ka një nga përqindjet më të larta në botë të familjeve me mace shtëpiake, por ligjet për përgjegjësinë e pronarëve kanë qenë gjithmonë të dobëta dhe të paqarta.







