Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra në nivelin 106.2 gjatë muajit nëntor, duke shënuar një ulje prej 2.6 pikësh krahasuar me tetorin. Pavarësisht rënies, TNE vijon të mbetet rreth 6 pikë mbi mesataren afatgjatë, çka tregon se klima ekonomike mbetet relativisht pozitive. Sipas të dhënave, rënia e këtij treguesi u shkaktua kryesisht nga ulja e besimit të bizneseve, ndërkohë që besimi i konsumatorëve shënoi përmirësim.
Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) qëndroi i pandryshuar në krahasim me muajin e kaluar dhe mbetet rreth 1.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ndikim negativ pati rënia e vlerësimit të bizneseve për kontratat porositëse nga eksportet, ndërsa prodhimi aktual industrial shënoi një rritje të lehtë. Pritjet për çmimet në të ardhmen vijuan të rriten.
Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) ra me 3.1 pikë përqindje në nëntor, megjithëse vazhdon të qëndrojë në nivel të lartë, 14.4 pikë mbi mesataren historike. Të dy komponentët – vlerësimi për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale – kontribuan në rënien mujore, ndërsa pritjet për çmimet vijuan të bien.
Sektori i shërbimeve regjistroi rënie prej 5.7 pikësh përqindje në treguesin e tij të besimit (TBSH). Edhe pse besimi mbetet rreth 9 pikë mbi mesataren historike, bizneset raportuan kërkesë më të dobët dhe ecuri më pak pozitive të aktivitetit. Pritjet për çmimet në të ardhmen vazhduan trajektoren rënëse.
Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) ra me 2.3 pikë përqindje, duke mbetur megjithatë rreth 9 pikë mbi mesataren historike. Ulja erdhi kryesisht nga vlerësimet më të dobëta për punësimin në të ardhmen, ndërsa vlerësimi për shitjet aktuale mbeti i pandryshuar. Pritjet për çmimet u rritën.
Në kah të kundërt, Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) u rrit me 0.8 pikë përqindje. Konsumatorët shfaqën pritje më pozitive për gjendjen financiare personale dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen, ndërsa vlerësimet për blerjet e mëdha mbetën të pandryshuara.
Ndërsa bizneset në shumicën e sektorëve kanë ulur besimin gjatë nëntorit, optimizmi i konsumatorëve ka zbutur rënien e ndjesisë së përgjithshme ekonomike. Treguesit vazhdojnë të qëndrojnë mbi mesataret historike, duke sinjalizuar se ekonomia ruan ende ritme pozitive, por me sinjale të qarta ngadalësimi nga ana e bizneseve. /ekofin.al









