Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka kujtuar Ibrahim Rugovën në përvjetorin e 81-të të ditëlindjes së tij.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, e para e shtetit thotë se Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohët e errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ndër të tjera, Osmani tha se presidenti historik mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike.
“I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik”, ka shkruar Osmani.
Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore e ushtarake.







