Ballina Opinion Vetëm pranimi i të vërtetave të Berishës, e shpëton PD nga shuarja...

Vetëm pranimi i të vërtetave të Berishës, e shpëton PD nga shuarja përfundimtare!

32
0

Nga Neritan Vladi 

Ndërkohë që pushteti i Edi Ramës, ka rënë në grackën e korrupsionit të krijuar vetë, një situatë degradimi dhe dëshpërimi po shfaqet hapur edhe në partinë më të madhe në opozitë, PD. Sa më shumë rrënohet penalisht, politikisht dhe moralisht mazhoranca socialiste, aq më e pafuqishme, e tkurrur dhe hipokrite duket edhe Partia Demokratike, ose më saktë lidershipi i saj.

Në pamje të parë duket si një kurth ku kanë ngecur dy partitë e mëdha tradicionale, por në fakt udhëheqësit e të dyjave kanë futur në grackë Shqipërinë, qytetarët, demokratët dhe socialistët e ndershëm. Rasti i kapjes nga SPAK i Belinda Ballukut dhe mbrojtja e saj nga Edi Rama duke sulmuar SPAK dhe GJKKO, tregojnë qartë se Rilindja dhe kreu i saj po hyjnë në një përplasje finale jo vetëm me drejtësinë por edhe me ndërkombëtarët. Këto janë momente decizive për Shqipërinë. Rënia e organizatës së korruptuar “Rilindja”, kërkon alternativë. Atë që duhet të ketë mision një opozitë e pastër dhe e pakapur.

Por ndërkohë që këto ditë në Bullgari opozita dhe qytetarët gjunjëzuan qeverinë vetëm për një buxhet, lidershipi i PD këtu në Shqipëri nuk frymëzon më as partinë. Ai jo vetëm që nuk ndiqet më nga qytetarët, por po braktiset me shpejtësi edhe nga militantët më besnikë. Këtë dhjetor PD feston 35 vjetorin, por nëse vazhdon kështu nën udhëheqjen e Sali Berishës, kjo parti rrezikon seriozisht që të mbetet një kujtim i tranzicionit, sa i bukur aq edhe tragjik. Sali Berisha i cili e nisi këtë rrugë 4 vite më parë për hallin e tij personal me SHBA dhe drejtësinë, duket hapur se nëse nuk “zgjidh” çështjen e tij dhe të familjes, është i vendosur që bashkë me fatin e tij të marrë me vete edhe PD-në.

Por a ka më shpresë, a mund të shpëtohet PD nga shuarja përfundimtare në skenën politike të Shqipërisë?

Tashmë shumica e demokratëve të ndershëm bien dakord, se shpëtimi i PD-së nga rreziku i shuarjes kërkon ndërhyrje drastike dhe një ndryshim themelor në strategji dhe udhëheqje.

Por ky operacion shpëtimi mund të filloj, vetëm kur kjo parti do të korrigjoj raportin me të vërtetat e saj. E vërteta e plotë të dhëmb, madje edhe të turpëron, por është e vetmja rrugë çlirimi dhe shpëtimi.

E vërteta është se PD nuk është “non grata”, kurse kryetari i saj Sali Berisha po, tash e 4 vite dhe duket se kështu do të mbetet përgjithmonë. Partia dhe demokratët nuk janë as në hetim nga SPAK dhe as në gjykim nga GJKKO për korrupsion, kryetari i tyre, po.

Sali Berisha u rikthye në krye të PD duke premtuar hapjen e partisë, zgjedhjen e deputetëve prej anëtarësisë pra primareve, rrëzimin e “Regjimit Rama” për 6 muaj, se kryetari që humbet zgjedhjet, (Neni Basha), largohet dhe nuk rikandidon më, se do të mbrohej vota, partia do bëhej më e madhe etj, etj. E vërteta është se ndodhi e kundërta; nga zgjedhjet e viti 2021 kur PD udhëhiqej nga Basha te ato të vitit 2025 nën drejtimin e Berishës kanë ikur mbi 300 mijë vota. Ndaj edhe partia po braktiset me shpejtësi nga anëtarësia, se votuesi “gri” as që afrohet më.

Pasi të thuhen dhe të pranohen të gjitha këto të vërteta, atëherë Sali Berisha së bashku me disa figura të tjera që janë kthyer në barrë për imazhin euroatlantik të partisë, duhet të largohet nga vetë demokratët.

Vetëm një lëvizje e tillë radikale, rikthimi si një forcë e pakompromis kundër korrupsionit, pro drejtësisë, e orientuar nga Perëndimi dhe e lirë nga e shkuara e saj e kontestuar, do të sinjalizonte një ripërtëritje të vërtetë të PD.

Kjo jo vetëm do ta shpëtonte PD nga shuarja por edhe do ta kthente shumë shpejt nga “e keqja me e vogël”, në një kontrast verbues dhe në një alternativë qeverisje. Do ta bënte PD një shtëpi shprese të dashur për gjithë shqiptarët kundrejt mazhorancës Rama, e cila po degradon me shpejtësi pasi është kapur nga SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë në flagrancë, si organizatë korruptive.

Nëse PD dëshiron që të mbijetojë, (Dhe është në afatet e fundit), ajo e ka emergjencë që të bëjë një hesap të sinqertë me veten dhe i duhet që të vendosë shpejt për këtë: Ka primare mbajtjen në “pushtetin” opozitar të Sali Berishës dhe figurat të vjetra, apo mbijetesa e partisë si një forcë demokratike dhe pro-evropiane që mund të vijë në pushtet shumë shpejt, për të shpëtuar vendin nga organizata e korruptuar “Rilindje”?

Kësaj të vërtete të madhe duhet ti përgjigjen demokratët sot, se nesër do të jetë vonë!