Artion Barjamaj, ish-kryetar i FRPD në Durrës, ka komentuar në emisionin Off the Record në A2 CNN zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike dhe takimin e gjerë të organizuar së fundmi me strukturat lokale. Ai e cilësoi aktivitetin si “një mbrëmje shumë të rëndësishme” me pjesëmarrje masive, duke theksuar se demokratët kërkojnë komunikim, jo përplasje.
Barjamaj u shpreh se grupi organizator nuk po kërkon të fajësojë askënd, por synon të hapë një proces reflektimi brenda PD-së. “Ne duam të shikojmë çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo, për të sjellë një parti demokratike kompetitive që jep shpresë”, tha ai.
Edhe pse vetë nuk ka përjetuar presion për të mos marrë pjesë në takim, ai pranoi se mesazhe të tilla janë shpërndarë, duke i cilësuar ato si “hap i nxituar politik”.
Ish-kreu i FRPD theksoi se demokracia e brendshme është thelbësore për ringritjen e PD-së dhe se anëtarët duhet të kenë mundësi të mblidhen e të flasin lirshëm. Ai shtoi se situata në vend është alarmante, për shkak të krimit, drogës, mungesës së drejtësisë dhe arrogancës së pushtetit, çka e bën edhe më urgjente bashkimin e opozitës.
Barjamaj falënderoi Sali Berishën si lider historik të PD-së, duke theksuar se pjesëmarrësit nuk kishin dalë për ta sulmuar apo për të cenuar figurën e tij, por për të ndërtuar urë komunikimi me lidershipin.
Sa i përket deklaratës së Berishës, i cili tha se “nuk njihen mbledhjet jashtë forumeve”, Barjamaj u përgjigj se sfidat nuk i trembin. “Ai vetë na ka mësuar të mos tërhiqemi përballë sfidave”, tha ai.







