Ballina Kuriozitete TikTok shpërndan video ‘deepfake’ të mjekëve për të shitur suplemente

TikTok shpërndan video ‘deepfake’ të mjekëve për të shitur suplemente

19
0

Platforma të mëdha sociale, përfshirë TikTok-un, po qarkullojnë video të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (deepfake) ku mjekë dhe ekspertë shëndetësorë paraqiten duke rekomanduar suplemente me efikasitet të pakonfirmuar. Hetimi i organizatës së verifikimit të fakteve Full Fact ka identifikuar qindra të tilla, të cilat lidhen me kompaninë amerikane Wellness Nest.

Sipas Full Fact, videot përdorin pamje të vërteta të ekspertëve, por me audio dhe imazh të manipulua­ra, duke i bërë ata të duken sikur rekomandojnë produkte për gratë në menopauzë, si probiotikë apo shilajit Himalaje.

Hetuesi i Full Fact, Leo Benedictus, e përshkroi këtë si “një taktikë të re dhe shqetësuese”, duke paralajmëruar se deepfake-t krijojnë idenë se persona të respektuar mbështesin trajtime të pabazuara.

Në mesin e personave të prekur është Prof. David Taylor-Robinson nga Universiteti i Liverpool-it, i cili zbuloi 14 video të rreme ku ai fliste për efekte të supozuara të menopauzës, megjithëse është specialist i shëndetit të fëmijëve. Në një video, ai madje rekomandonte një probiotik “me ekstrakte bimore të mbështetura nga shkenca”, përmes një imitimi të plotë nga AI.

TikTok i hoqi videot gjashtë javë pas ankesës së tij, ndërsa Full Fact gjeti edhe deepfake të Duncan Selbie, ish-kreu i Public Health England. Video të rreme janë zbuluar edhe në X, Facebook dhe YouTube, të gjitha me lidhje me Wellness Nest ose degën e saj britanike.

Kompania Wellness Nest mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se videot deepfake “nuk janë të lidhura” me aktivitetin e saj dhe se “nuk përdor përmbajtje të gjeneruar nga AI”, por pranoi se nuk mund të kontrollojë bashkëpunëtorët globalë.

Helen Morgan, zëdhënëse e Liberal Demokratëve për shëndetësinë, paralajmëroi se AI po përdoret për të mashtruar dhe manipuluar qytetarët. Ajo kërkoi masa të forta kundër deepfake-ve që imitojnë mjekë, si dhe përgjegjësi të qartë ligjore për ata që përfitojnë nga dezinformimi mjekësor.

Një zëdhënës i TikTok tha se videot e Taylor-Robinson dhe Selbie janë hequr për shkelje të rregullave kundër dezinformimit dhe imitimit mashtrues. “Përmbajtja e rrezikshme e gjeneruar nga AI është sfidë për gjithë industrinë,” u shpreh kompania.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social në Britani u kontaktua për koment, por nuk ka reaguar ende.