Ballina Politika Bardhi: Këtij pushteti i janë tundur themelet, Edi Rama është sot njeriu...

Bardhi: Këtij pushteti i janë tundur themelet, Edi Rama është sot njeriu më i frikësuar në Shqipëri, ne s’tërhiqemi

41
0

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi duke folur në protestën kombëtare në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ka paralajmëruar Edi Ramën se, shqiptarët nuk janë më të frikësuar, ata nuk do të tërhiqen më.

Fjala e plotë e Gazment Bardhit:  

Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,

Motra dhe vëllezër,

Demokratë dhe qytetarë të lirë!

Ju falenderoj nga zemra që qëndroni këtu, të pathyeshëm.

Ju falenderoj që, edhe kur zhgënjimi ka qenë i madh, nuk e keni humbur dinjitetin.

Ju falenderoj, sepse forca juaj është kthyer gjithmonë nëshpresën tonë të përbashkët.

Mbi të gjitha, ju falënderoj për besimin që na jepni në kohën më të vështirë, në kohën e sundimit të kolerës së korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Prania juaj sonte në këtë shesh madhështor proteste do të thotë vetëm një gjë:

kjo shoqëri ende ka zemër.

Kjo shoqëri ka ende guxim.

Kjo shoqëri e do ndryshimin.

Këto ditë kam takuar shumë prej jush. Kam dëgjuar shqetësimet tuaja, lodhjen, dilemat tuaja, revoltën tuaj për gjërat që po shkojnë keq.

Dhe po!

Edhe unë nuk e kam patur të lehtë vendimin për të folur  sot para jush. Sepse e di që shumë herë ne kemi dalë në sheshe me shumë shpresë dhe jemi kthyer në shtëpi me shumë zhgënjim.

Por dilema nuk më zgjati shumë. Sepse nëçdo takim që kam bërë me ju të dashur demokratë dhe qytetarë të lirë të këtij vendi të stërmunduar kam marrë prej jush vetëm një mesazh: Ne nuk dorëzohemi!

Nga ju, në këtë shesh dhe nëçdo takim, kam mësuar leksionin më të madh të jetës sime politike: se sakrifica dhe besimi janë dy vlerat më të mëdha që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë. Se sakrifica dhe besimi do të na çojnë përpara për t’u përballur me pengesën dhe problemin më të madh të shqiptarëve: largimin e Edi Ramës, kryeministrit më të korruptuar dhe më të inkriminuar të Europës.

Sot jam këtu pikërisht për këtë arsye:

sepse kjo protestë nuk është vetëm kundër një qeverie,por është për dinjitetin tonë, për besimin tonë dhe për të ardhmen që nuk ia falim më askujt.

Ne nuk jemi këtu, sepse nuk rrimë dot ngrohtë në shtëpitë tona.

Në nuk jemi këtu, sepse na pëlqen të kalojmë kohën në protesta.

Ne jemi këtu sepse korrupsioni po na merr frymën! Sepse kartelet e drogës, bashkë me qeverinë e tyre, po na vjedhin të ardhmen!

Edi Rama, Belinda Balluku bandat kriminale dhe kartelet e drogës që qëndrojnë pas tyre duan që ne të kemi frikë.

Duan që ne të heshtim.

Edi Rama do që ne të ulim kokën.

Duan që të mendojmë se jemi të pashpresë.

Bashkë me çetën e tij të mega hajdutëve ai do që ne të besojmë se në këtë vend të gjithë janë njësoj, se asgjë nuk ndryshon.

Por ne jemi këtu për t’u treguar se ata e kanë gabim dhe se e keqja nuk do të triumfojë.

Ne jemi këtu për t’u thënë hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisë se koha juaj ka mbaruar.

Tani është koha e qytetarëve të ndershëm të Shqipërisë.

Sepse kur pushteti vjedh, nuk vjedh vetëm ca para!

Vjedh jetën tuaj.

Vjedh mundësinë tuaj.

Vjedh të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Sot kam një mesazh edhe për ata që na shohin nga shtëpia, me dyshim, me lodhje, ndoshta edhe me frikë: kjo nuk është protesta e një partie. Kjo është protesta e njerëzve që nuk duan më të nëpërkëmben.

Jam këtu për t’ju thënë se ju nuk jeni vetëm.

Ne nuk kemi frikë. Këtij pushteti i janë tundur themelet dhe Edi Rama sot është njeriu më i frikësuar në Shqipëri.

Ai ka frikë, sepse e vërteta ka dalë.

Ka frikë, sepse e di se rrethi po ngushtohet.

Ka frikë, sepse e di se ky popull, kur zgjohet, nuk ndalet më.

Të dashur vëllezër dhe motra

Sot është koha që ne të guxojmë.

Guxim për të mos heshtur.

Guxim për të mos u larguar.

Guxim për të mos u dorëzuar.

Sepse historia nuk ndryshohet nga ata që presin.

Historia ndryshohet nga ata që qëndrojnë.

Dhe historia na ka mësuar një gjë:

asnjë pushtet nuk bie me lutje, asnjë pushtet nuk bie me heshtje. Por asnjë pushtet nuk i reziston dot një populli që nuk dorëzohet.

Ne nuk kemi luksin e dëshpërimit.

Ne kemi detyrimin e qëndresës.

Ne nuk mund të presim që dikush tjetër ta bëjë këtë betejë për ne. Ne nuk mund të presim që padrejtësia të zhduket vetë. Që korrupsioni të ngopet, që kartelet e drogës të tërhiqen.

Ne sot jemi në këtë shesh për të thënë me zë të lartë:

nuk do të heshtim,

nuk do të trembemi,

nuk do të tërhiqemi.

Ne do të qëndrojmë.

Do të qëndrojmë në sheshe.

Do të qëndrojmë të fortë.

Do të qëndrojmë me sakrificë.

Do të qendrojmë me besim.

 

Nga sot Edi Rama duhet ta dijë:

Nuk ka më kthim pas!

Jo sepse këtë e themi ne, por sepse frika ka ndërruar krah. Sepse për herë të parë, pushteti po reagon, po justifikohet, po nervozohet. Sepse për herë të parë pushteti është trembur nga krimet e veta.

Prandaj sot është koha për qendresë!

Sot nuk ju kërkohet të besoni tek një individ.

As tek një parti.

As tek një sllogan.

Sot ju kërkoj të besoni tek vetja juaj.

Sepse asnjë regjim nuk ka rënë nga fjalimet.

Ka rënë vetëm kur njerëzit nuk kanë pranuar më poshtërimin si normalitet.

Sepse kur një popull ngrihet për dinjitetin e tij,

asnjë pushtet nuk e ndal dot.

Qëndroni.

Rezistoni.

Mos u përkulni!

Qëndresë sot.

Rezistencë nesër.

Dhe fitore për Shqipërinë.