Sali Berisha është gati të bëjë aleancë edhe me ata që nuk duan ta shohin me sy, mjafton që të kenë një kundërshtar të përbashkët: Edi Ramën.
Nga foltorja e radhës në Kukës, kryetari i Partisë Demokratike u bëri thirrje forcave të tjera opozitare të bashkojnë forcat me të, pavarësisht dallimeve politike, përplasjeve të mëparshme apo marrëdhënieve aspak miqësore.
“Ka një parim të lashtë sa luftërat, sa betejat. Armiku i armikut tim, është aleati im. Dhe ne haptas me guxim ua thamë të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve. Ne thamë me këtë, dakord, ti je armiku ynë. Ti nuk do të na shohësh mbi faqen e dheut, por në qoftë se ti konsideron Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, hajde të bashkëpunojmë, ta rrëzojmë dhe prapë armiq mbetemi”, u shpreh Berisha.
“Duhet të bashkohemi përsëri, me të gjitha forcat politike, pavarësisht nga programe shumë të ndryshme që kemi, pavarësisht nga kimia, të themi, apo empatia që mund të kemi ndaj njëri-tjetrit. Për të gjithë ata që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, ora e së vërtetës thërret të bashkohemi”, deklaroi kreu i PD-së.
“Të bashkohemi sepse të bashkuar mund ta hedhim ku e meriton, me koston më të ulët. Nuk është se ai ikën. Jo. Ai, ne duhet ta detyrojmë të ikë. Ta kemi të qartë këtë. Mos presë askush që ai ikën…Diktaturat, historia tregon se me votë nuk ikin. Kjo është e vërteta. Por bashkimi në një diktaturë shtrëngon lakun në fyt më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ish-kryeministri.







