Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq punonjësit e Agjencisë Rajonale Mjedisore Fier, Vlorë, Gjirokastër për veprën penale ‘Shpërdorimi detyre’.
Konkretisht bëhet fjalë për:
Arben Voja, ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier, drejtor i spitalit rajonal;
B.F., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E.B. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E.Z. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
E.B. specialiste për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
V.G., specialiste monitorimi në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër; dhe
P.T., specialist finance në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
Sipas organit të akuzës, në përfundim të hetimeve, u provua se, drejtori dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, duke vepruar e mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, auditimeve të brendshme të kryera nga Ministria e Mjedisit:
Kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe pa respektuar kriteret ligjore dhe nënligjore; disa leje mjedisore të tipit “C” ishin miratuar në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm që kërkohet nga ligji dhe aktet nënligjore; si dhe janë konstatuar standarde të ndryshme vendimmarrjeje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.







