Nga Fatos Çoçoli
Rasti i pezullimit të aktivitetit të ZvKryeministres Balluku nga Prokuroria e Posaçme e vendit(SPAK) dhe më tej i kërkesës së saj për lejen e Kuvendit për arrestimin e ZvKryeministres, ka ndezur një debat të gjerë publik që ka javë që vijon dhe ka trazuar çdo qytetar, përtej shkumëzimeve partiake të rradhës.
Në një vend me demokraci të konsoliduar, drejtësia flet me prova, akte, dokumente dhe vendime, jo me fragmente të përzgjedhura nga komunikime elektronike, të shpërndara në media në mënyrë të kontrolluar dhe të fshehtë. Asnjë prokurori e posaçme e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk do t’ia lejontë vetes një sjellje të tillë.
Kjo është arsyeja pse marrja nën hetim e ZvKryeministres dhe kërkesa për ta arrestuar nuk po kuptohet nga shumë prej nesh si një proces hetimor i pastër, por si një gjyq popullor, i ndërtuar mbi copëza komunikimesh, nënkuptimesh dhe insinuatash.
Dhe ky është një problem shumë më i madh sesa vetë hetimi. Kur drejtësia dërgon mesazhe përmes rrjedhjeve të informacionit, që ajo vetë çon në media, atëhere drejtësia nuk po heton, por po vepron politikisht.
Gjyqi popullor është arma më e vjetër e sistemeve të dobëta. Në të nuk ka fakte të plota, nuk ka prova të plota, nuk ka transparencë të plotë. Ka vetëm copëza të kontrolluara, të cilat krijojnë një atmosferë të paracaktuar faji.
Publikimi i copave të zgjedhura, të shkëputura nga çdo kontekst profesional dhe administrativ, është praktikë e rrezikshme për një demokraci të brishtë si e jona dhe një drejtësi në sprovën e zjarrit për të luftuar efektivisht abuzimin me fondet publike dhe korrupsionin.
Kjo sjellje deformon realitetin, prodhon gjykim emocional, krijon perceptime të rreme dhe përgatit terrenin për “gjykim moral”, jo ligjor.
Kjo nuk është drejtësi, është dramaturgji. Gjyqi popullor shërben vetëm për një qëllim: të gjykojë personin, përpara se sa të gjykohet dosja.
Dhe është fare e qartë se cili është objektivi i kësaj teknike të vjetër dhe të shëmtuar, të padenjë për një institucion si SPAK, që e ka domosdoshmëri të jetë serioz dhe të justifikojë kontratën morale me qytetarët, si institucioni i shpresës për vendosjen e kulturës së përgjegjësisë në administratën tonë publike.
Objektivi me gjyqin popullor, ku e ka katandisur veten SPAK të futet në gatim, është të ndërtohet perceptimi publik i fajit, përpara se sa të flasë gjykata. Nëse qytetarit i paraqiten disa rrjeshta komunikimesh të njëanshme, të dala në një kohë të përzgjedhur, në një atmosferë të ngarkuar politike, atëherë edhe gjykimi i tij rrezikon të jetë i paracaktuar.
Qytetari ka dëgjuar “provën”, pa patur provë të vërtetë, ka parë “ndërveprimin”, ka ndjerë atmosferën. Dhe për rrjedhojë, në një pjesë të mirë të opinionit publik, pastaj çdo argument ligjor tingëllon i tepërt.
Procesi i drejtësisë zhvishet nga vlera themelore e tij: gjykimi profesional dhe i paanshëm. Drejtësia nuk është më e verbër dhe e paanshme, si duhet të jetë në një shtet demokratik, por bëhet krah goditës i një pjese të politikës.
Kjo është taktikë e vjetër dhe e dëmshme për një shtet si i yni, që me reformën 9-vjeçare në drejtësi po provon të hyjë në epokën e drejtësisë europiane. Nëse SPAK ka prova, le t’i publikojë të gjitha, jo copëza të paracaktuara për goditje, për linçim emocional.
Askush nuk thotë që hetimi duhet të mbyllet. Askush nuk kërkon që institucionet e drejtësisë së re të mos bëjnë punën e tyre. Por puna nuk mund të bëhet, duke ndërtuar një atmosferë linçuese, përmes rrjedhjeve selektive në media, që krijojnë përshtypjen e fajit, përpara se ligjërisht dhe gjyqësisht të jetë vërtetuar faji.
Dy standarde nuk ekzistojnë në demokraci: ose je pro transparencës së plotë, ose je pro manipulimit të pjesshëm. SPAK nuk ka asnjë arësye të zgjedhë të dytën. Dhe të dyja njëherësh nuk shkojnë dot.
Rreziku më i madh është krijimi i një precedenti, ku drejtësia përdor median si instrument presioni. Po të lejohet ky model, nesër mund t’i ndodhë kujtdo, mund t’i ndodhë çdo politikani, mund t’i ndodhë çdo drejtuesi në administratën publike apo në sektorin privat, mund t’i ndodhë çdo qytetari që ka një konflikt me institucionet.
Një fragment komunikimi i qytetarit nën hetim nuk është as provë e plotë, as fakt, as argument. Është imazh i manipuluar i së vërtetës. I vetmi efekt që ka është ndezja, ngjizja e gjyqeve popullore.
Gjyqe që nuk i bën gjykata, por opinioni i nxehtë publik. Gjyqe që nuk bazohen në ligj, por në ndjesi. Dhe drejtësia e ndërtuar mbi ndjesi është drejtësia më e padrejtë!
Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi të padrejtë, emotive, për drejtësi spektakli. Ka nevojë për drejtësi reale. Hetimet serioze nuk bëhen me rrjedhje informacioni të orkestruara. Nuk bëhen me copëza What’s App-i. Nuk bëhen me insinuata.
Hetimet serioze publikojnë dokumentet zyrtare, shpjegojnë procedurat, paraqesin aktet përfundimtare dhe sqarojnë natyrën e shkeljes ligjore. Gjithçka tjetër në teatër politik, i veshur me petkun e drejtësisë.
Drejtësia që nis me rrjedhje hetimesh përfundon me linçim, jo me të vërtetën. Nëse SPAK beson vërtet tek forca e provave që ka grumbulluar, nuk ka pse ta transformojë hetimin në gjyq popullor. Nëse dosja është e fortë, ajo duhet të dalë e plote, jo me copëza të servirura në disa media. Në të kundërt, SPAK rrezikon të duket jo si institucion ligjor, por si arkitekt i një opinioni të kontrolluar, të ndërtuar përpara se drejtësia të flasë. Dhe një drejtësi që prodhon gjyqe popullore, nuk ndërton shtet.







